Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate është duke vazhduar rinumërimi 530 vendvotimeve të cilat kanë pasur kryesisht probleme teknike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur për Telegrafin, se rinumërimi është në përfundim e sipër.
Ai ka thënë se deri në orën 16:00 janë rinumëruar 81.29 për qind e vendvotimeve.
“Deri në orën 16 të ditës së martë janë rinumëruar 430 vendvotime apo 81.29 për qind e 530 vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja që të rinumërohen”, ka thënë ai.
Ndryshe pas rinumërimit të këtyre vendvotimeve, pritet të numërohen votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Sipas Elezit numri i votave me kusht në nivel vendi është rreth 26 mijë e 400, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është rreth 2 mijë e 150.
Kujtojmë se në QNR më herët janë rinumëruar edhe 314 vendvotime, të cilat po ashtu kanë pasur probleme të kësaj natyre. Në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind. Në bazë të rezultateve preliminare lëvizja Vetëvendosja mori më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit e pasuar nga LDK-ja. Këto dy parti tashmë janë në fazën e negociatave për formimin e një koalicioni qeverisës në Kosovë. /Telegrafi/