Rinumërimi i 530 vendvotimeve i cili ka filluar javën e kaluar, pritet të përmbyllet sot. Të paktën kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi ka theksuar se kanë mbetur vetëm edhe 61 vendvotime për tu rinumëruar.
“Janë rinumëruar 469 vendvotime apo rreth 87% e 530 vendvotimeve të parapara për rinumërim. Pra, kanë mbetur edhe 61 vendvotime për tu rinumëruar plotësisht. Ky proces pritet të përmbyllet deri në përfundim të ditës së sotme”, ka deklaruar Elezi.
Kujtojmë se këto vendvotime shkuan në rinumërim shkaku i problemeve teknike.
Ndryshe pas rinumërimit të këtyre vendvotimeve, pritet të numërohen votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Sipas Elezit numri i votave me kusht në nivel vendi është rreth 26 mijë e 400, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është rreth 2 mijë e 150.
Kujtojmë se në QNR më herët janë rinumëruar edhe 314 vendvotime, të cilat po ashtu kanë pasur probleme të kësaj natyre. /Telegrafi/