Shtatë stacione hekurudhore anembanë Maqedonisë do të rikonstruktohen plotësisht, dhe katër të tjerë janë në fazën përfundimtare, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Telegrafi Maqedoni ka kërkuar deklaratë nga drejtori i hekurudhave të Maqedonisë për të sqaruar se pse qytetet shqiptare si Tetova dhe Gostivari nuk janë futur në këtë plan për rinovimin ku përfshihen ndryshime tek pjesa e biletarisë, hapësira e pritjes, dhomat, toaletet, kulmet dhe fasadat e stacioneve. Sistemi i ujit dhe instalimet elektrike do të zëvendësohen me të reja, dhe kujdes i veçantë do të ju kushtohet kushteve të personave me aftësi të kufizuara.
Në pyetjen e Telegrafit, drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë Irfan Asani përgjigjet ”Ne si drejtori kemi caktuar prioritete për këtë vit dhe qytetet si Tetova dhe Gostivari i kemi vlerësuar si prioritare në projektin tjetër, në atë të lidhjes me hekurudhë të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Projekti i rinovimit të stacioneve të hekurudhave të Maqedonisë është projekt i financuar nga IPA fondet dhe për këtë janë caktuar qytete si: Veles, Gradsko, Demir Kapi, Tabanoc, Prilep, Negotinë-Vardar, Shkup, Bogomillë, Çashkë, Gjevgjeli dhe Manastir. Tetova dhe Gostivari nuk janë futur në këtë projekt pasi janë përfshirë në projektin e lidhjes së Maqedonisë me Shqipërinë. Nuk ka tendenca diskriminimi por vetëm vendosje të prioriteteve. Projekti i lidhjes së Maqedonisë me Shqipërinë është projekt që kushton 80 milion euro dhe do të filloj me ndërtim në vitin 2017. Kemi kontakte edhe me Shqipërinë që të punojmë bashkë për një linjë sa më funksionale.” tha mes tjerash drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë Irfan Asani.
Asani apeloi deri tek qytetarët që të shfrytëzojnë kalimet e shënuara dhe mos të kalojnë nëpër rrugë të egra. Ky apel i Asanit vjen pas pyetjes së Telegrafit rreth aksidenteve ku kohën e fundit në fshatin e Kamjanit mbeti i vdekur një i moshuar duke kaluar hekurudhën e linjës Tetovë-Kërçovë./Telegrafi/