Telegrafi

Rinia e AKR-së në Prishtinë me kryetar të ri (Video)

Forumit Rinor i Aleancës Kosova e Re, dega në Prishtinë ka mbajtur Konventën e katërt zgjedhore.

Në këtë konventë, kryetar i forumit rinor u zgjodh Sami Borovci, me shumicë votash në praninë e më shumë se 400 delegatëve.

Të pranishëm ishin edhe presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, drejtori i Institutit të AKR-së Jahja Koka, Korab Sejdiu dhe figura të tjera udhëheqëse të AKR-së.

Presidenti Pacolli u zotua se të rinjtë në AKR, do të jenë pjesë e rëndësishme dhe vendimarrëse në këtë subjekt.

“AKR-ja është alternativa e vetme politike në Kosovë, ku me qeverisjen e saj, shoqërisë kosovare do t’i kthehet dinjiteti”, ka thënë Pacolli.

Më tej Pacolli shtoi se Kosova që nga paslufta ka ndërruar disa qeveri, por nuk kemi parë asgjë të ndryshme dhe ka qenë i njëjti format, dhe kështu do të vazhdojnë edhe me tutje, dhe se këta njerëz nuk e duanë Kosovën, andaj Pacolli tha se tani ka ardhur koha për një qeverisje ndryshe, një qeverisje me Aleancën Kosova e Re.

Ndërsa Korab Sejdiu tha se rinia nuk është vetëm e ardhmja por edhe e tashmja e vendit.

“Ju duhet të jeni aktivë, që t’i ofroni vendit një alternativë të sigurt, për ta ndalur keqqeverisjen në vend.”

Ndërsa kryetari i porsazgjedhur Sami Borovci falënderoi të gjithë delegatët dhe të pranishmit në këtë konventë, dhe u zotua që do të punojë me gjithë rininë e Prishtinës për të krijuar një hapësirë dinjitoze për rininë dhe të ardhmen e tyre.

Kjo konventë u mbajt në kuadër të zgjedhjeve të brendshme që po mbahen në AKR, në gjithë Kosovën.