Cila do të jetë skuadra e re e Zlatan Ibrahimovic – është pyetja intriguese që për momentin është e vështirë t’i japësh një përgjigje.
Shtatlarti suedez po rikuperohet nga dëmtimi i rëndë që pësoi në prill të këtij viti dhe mund t’u rikthehet fushave të blerta më herët sesa mendohej.
Por, me Manchester Unitedin që ka vendosur të mos t’ia rinovojë kontratën, Ibra bashkë me menaxherin e tij, Mino Raiola, janë vënë në lëvizje për të gjetur një klub të ri, tek i cili Zlatan do të vazhdojë karrierën.
35-vjeçari mendon se ka ende potencialin për të luajtur në një skuadër të madhe në Evropë dhe nuk e mendon kurrsesi një kalim të mundshëm në një kampionat të niveli më të ulët siç mund të jetë transferimi përtej oqeanit në Major League Soccer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas mediave spanjolle, Raiola ia ka propozuar futbollistin Real Madridit, por presidenti i Los Blancos, Florentino Perez, nuk duket shumë i emocionuar nga ideja dhe gjasat janë të vogla që veterani suedez të transferohet në Santiago Bernabeu kur të riaftësohet plotësisht nga dëmtimi.
Në këtë mënyrë, agjenti duhet të shikojë për të tjera opsione. Një variant i mundshëm për Ibran mund të jetë edhe rikthimi te Milani.
Ndërkohë që sulmuesi veteran ka refuzuar një ofertë të Valencias, sepse nuk e konsideron skuadrën nga Mestalla në lartësinë e tij.