Këngëtarja dhe aktorja Shota Baraliu ka mbi dy vite që është “zhdukur” nga skena.
Ajo u fejua një vit më parë me një djalë nga Zvicra, mikun e saj të fëmijërisë me prejardhje nga Prizreni.
Mirëpo vetëm para pak ditësh u dha lajmi se dyshja nuk janë më bashkë, dhe se kanë ndarë rrugët.
E kontaktuar nga Telegrafi, artistja Baraliu ka rrëfyer se si ndodhi ky moment dhe cilat ishin arsyet që çuan deri në këtë ndarje.
“Jemi ndarë për shkak se lidhja jonë nuk funksionoi më. Ka qenë pak një mos-përputhje karakteresh. Një lidhje që nuk eci, kështu ndodh ndoshta kur dikush tenton të t’i ndalojë disa gjëra me vonesë. Por tash mund të them lirisht se jam super ‘single’”, tha Shota Baraliu për Telegrafin.
Këngëtarja dhe aktorja nuk ka qenë e kurorëzuar me ish-të fejuarin, pasi fejesa tyre ka qenë vetëm me fjalë dhe marrëveshje familjare.
Jetesa e saj këto dy vite ka qenë e zhvendosur mes Kosovës dhe Zvicrës, ndonëse të gjithë kanë menduar se e njëjta ka jetuar vetëm në Zvicër që pas shpërnguljes te i dashuri i saj pas fejesës.
“Unë kam qenë gjithnjë sa në Zvicër, aq edhe në Kosovë. Kam jetuar tre muaj këtu e tre atje, kjo për shkak se kam pasaportë shqiptare, por nuk e di pse njerëzit kanë menduar të kundërtën. Të gjithë kanë menduar se jam duke jetuar vetëm në Zvicër”, ka treguar më tej Shota.
Tani që është ndarë, Baraliu thotë se i është përkushtuar karrierës, teksa po bëhet gati të shënojë rikthimin e saj me disa projekte, të cilat i kishte lënë në gjysmë.
“Para se të fejohesha kisha përgatitur tre emisione të cilat do të shfaqeshin në ekranet tona shqiptare, mirëpo për shkak se u fejova, i ndërpreva. Tani do të përkushtohem që këto emisione t’i sjelli në jetë dhe të sjell diçka të bukur. Besoj do të shihni një Shotë ndryshe në rikthimin tim”, tregoi Shota për Telegrafin.
Një “stand-up” komedi ishte premtuar nga aktorja dy vite më parë, por e njëjta duket se nuk do të realizohet, të paktën jo për momentin.
Në vazhdimin e bisedës për Telegrafin, Shota thotë se arsyet për anulimin e “stand-up” komedisë ishin të shumta, por më e rëndësishmja mbetet koha kur ajo pësoi aksidentin (nëntor, 2016), që për fat të mirë kishte arritur të dilte gjallë dhe pa lëndime.
“Plani për realizimin e ‘stand up’ komedisë është shuar me aksidentin që pata pësuar para dy vitesh me veturë, nga ku edhe më ishte ftohur pak dëshira për humor dhe për realizimin e saj, megjithatë do të shohim në të ardhmen”, ka thënë Shota.
Përveçse aktore, Shota është e njohur për publikun edhe si këngëtare, pasi ajo dikur ka qenë shumë aktive në muzikë.
Ndonëse ka potencuar shumë herë se këngët e saj janë të gjitha “funny” dhe pa ndonjë mesazh të caktuar përveç argëtimit, këngëtarja thotë se për momentin nuk e ka në plan që të rikthehet me diçka të re.
“Sa i përket muzikës, njëherë nuk mendoj të rikthehem, pasi prioritet i kam projektet tjera në aktrim dhe TV”, përfundoi Shota Baraliu për Telegrafin.
Ndër këngët e saj më të suksesshme ndër vite mbeten “Call the police”, “Adonisi”, “Flm për sms”, etj. /Telegrafi/