Site icon Telegrafi

“Rikthimi i demarkacionit në Kuvend, mund të ndryshojë mendimet e deputetëve”

Qeveria nuk i pati votat e mjaftueshme për ta miratuar projektligjin e demarkacionit, andaj e tërhoqi për një seancë tjetër votimin, vlerësojnë analistët politikë.

Imer Mushkolaj thotë se është e papranueshme që votat për demarkacionin të sigurohen duke i bërë koncesione Listës Serbe apo kujtdo tjetër. Sipas tij, Qeveria do ta sjell sërish në votim demarkacionin dhe se nuk do të jetë e habitshme që deputetët ta ndërrojnë mendjen.

“Duke pasur parasysh se deputetët ndërrojnë mendje varësisht nga postet e privilegjet që iu ofrohen, nuk do të ishte e habitshme që edhe disa që tash për tash e kundërshtojnë, ta japin votën e tyre ‘për’. Por, kjo nuk e zgjidhë problemin”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.

Ai po ashtu tha se më e mira do të ishte që të shkarkohet komisioni aktual për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që të gjendet një konsensus.

“Duhet të krijohet një trupë gjithëpërfshirëse dhe të rinegociohet marrëveshja me malazezët”, vlerësoi Mushkolaj.

Ndërkaq, Nexhmedin Spahiu shprehet se Lista Serbe e konsideron Kosovën Serbi dhe se nuk është e interesuar që “t’ia japë” Malit të Zi territorin që e konsideron si pjesë të Serbisë.

I pyetur se a do ta risjell Qeveria sërish në Kuvend këtë projektligj, ai tha se për momentin këtë nuk mund ta dijë me siguri.

Ndryshe, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në seancën e 1 shtatorit tërhoqi nga votimi Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. /Telegrafi/

Exit mobile version