Milan ka arritur të rikthejë rezultatin përballë Torinos për të kaluar tutje në Kupën e Italisë.
‘Rossonerët’, ishin duke humbur 0-1 në pjesën e parë por arritën të shënonin dy gola të shpejtë për të rikthyer gjithçka në 2-1.
Ndeshjen më mirë e nisën mysafirët të cilët arritën të shënonin edhe një gol ende pa kaluar 30 minuta lojë.
Ishte super sulmuesi italian, Andrea Belotti që pranoi një top të bukur në zonë nga Benassi dhe shënoi për 0-1.
Belotti golin e epërsisë për Torinon e realizoi në minutën e 27-të të ndeshjes.
Me epërsinë 0-1 të Torinos, përfunduan 45 minutat e parë të ndeshjes.
Me të filluar pjesa e dytë, Milani shtoi sulmet në drejtim të portës së mysafirëve.
Mesfushori Juraj Kucka u shërbye mirë në zonë nga Matteo De Sciglio dhe shënoi për të barazuar rezultatin në 1-1 në minutën e 61-të.
Vetëm tre minuta më vonë, ‘San Siro’, shpërtheu kur Milani shënoi golin e epërsisë.
Ishte reprezentuesi italian, Giacomo Bonaventura që kaloi ‘Rossonerët’ në epërsi.
Pas golit të dytë, mysafirët shtuan presionin në portën e Milanit duke kërkuar golin e barazimit.
Edhe pse të dyja skuadrat kishin raste të mira shënimi në 20 minutat e fundit, portat mbetën të pa prekura.
Pas kësaj fitore, Milani në çerekfinale do të takohet me kampionin aktual të Italisë, Juventusin. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=RYMUS-gCZy8
https://www.youtube.com/watch?v=2oU60BCddBg
https://www.youtube.com/watch?v=kqlYUyro6fE