Gjykata e Apelit ka vendosur të kthej në rigjykim lëndën e shtatë të akuzuarve nga Gjykata Themelore për keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.
Këtë vendim e mori Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, sipas ankesave, në rastin e të akuzuarve N.O., B.Sh., Sh.L., N.A., M.Y., A.K. dhe A.D.
“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 08.02.2019, në pjesën liruese të tij, e ku të akuzuarit N.O., B.Sh., Sh.L., N.A., M.Y. dhe A.K. ishin liruar nga akuza për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, A.D ishte liruar nga akuza për shkak të veprës penale legalizimi i përmbajtjes së rremë në vazhdimësi, si dhe ishte refuzuar kërkesa për konfiskim të pasurisë, të evidentuar sipas një urdhri ndalues afatgjatë, është prishur dhe lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në RIGJYKIM”, thuhet në njoftimin për medie të Gjykatës.
Ndërsa pjesa fajësuese e këtij aktgjykimi, sipas të cilës i akuzuari A.D. është shpallur fajtor për veprat penale mashtrimi në vazhdimësi dhe shmangie nga tatimi, e për të cilat është dënuar më 1 viti e 8 muaj burgim dhe dënimin me gjobë në shumë prej 10.000 euro, si dhe është obliguar që palës së dëmtuar ATK-së, t’i kompensoj dëmin në shumë prej 53.807.46 euro, është vërtetuar.
“Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës se prokurorit, por edhe sipas detyrës zyrtare gjeti se aktgjykimi i ankimuar, sa i përket pjesës liruese është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Ndërkaq pretendimet ankimore të mbrojtjes lidhur më pjesën fajësuese, janë refuzuar si të pa bazuara në ligj”, thuhet në komunikatën e Gjykatës. /Telegrafi/