Blerand Hasanaj nga Auto Klubi DTM e ka arritur kohën më të shpejtë në garën që u zhvillua në Shalë të Bajgorës, shteg i cili ishte “i pensionuar” tash e 11 vjet, njofton Federata e Auto Sportit të Kosovës.
“Në përgjithësi gara i ka arsyetuar pritjet, pasi garuesit e dhanë maksimumin, ndërsa në shumicën e kategorive rivaliteti ishte mjaft i madh”, thuhet në njoftim.
Kryetari i FASK-së, Ismet Rexhepi, është shprehur i kënaqur me ecurinë e garës, por më tepër i është gëzuar rikthimit të garës në Shalë. “Jemi të kënaqur me atë që të gjithë të pranishmit e panë në garën e sotme. Pati rivalitet, emocione dhe adrenalinë, por për mua fitorja më e madhe është rikthimi i garës në Shalë, e cila garuesve dhe dashamirëve të këtij sport u ka munguar tash e 11 vjet”, është shprehur Rexhepi.
Në kategorinë e parë edhe kësaj radhe dominuan anëtarët e Auto Klubit Prizreni, të cilët u renditën në tri pozitat e para. Ndërkaq, kategoria e dytë kaloi në shenjë të sukseseve të klubeve nga kryeqyteti, Prishtina RCP dhe Prishtina RT.
Përparim Dushi nga Prishtina RT e ka vazhduar dominimin absolut në kategorinë e tretë, madje kësaj radhe ishte afro 17 sekonda më i shpejtë se përcjellësi më i afërt, Bujar Gola nga Gjakova 137.
Në kategorinë e katërt, Arbnor Musliu nga Prishtina RCP edhe njëherë dëshmoi se është shumë i mirë në garat malore, sikur edhe Blerand Hasanaj, i cili triumfoi në kategorinë e pestë.
Ndërkaq, me rezultate të mira ka vazhduar edhe Bardhyl Canolli, i cili doli i pari në kategorinë e gjashtë.
Në plasmanin e përgjithshëm kohën më të mirë e pati Blerand Hasanaj (04:00.521 minuta), ndërsa pas tij u renditën Përparim Dushi (04:02.630) dhe Gentian Kulla (04:07.553), përcjell koha.net.
Në konkurrencën ekipore më e suksesshmja doli Prishtina RCP, e dyta Prishtina RT, ndërsa pozita e tretë i takoi Prizrenit D&G.
Rezultatet sipas kategorive
Kategoria e parë:
- Bekim Kovaçi (Yugo – Prizreni D&G) 04:26.334
- Afrim Spahi (Yugo – Prizreni D&G) + 08.931
- Kreshnik Mariqi (Opel – Prizreni D&G) + 12.868
Kategoria e dytë:
- Besnik Çitaku (Opel – Prishtina RCP 04:22.323
- Florim Rama (Peugeot – Prishtina RT) + 18.812
- Artan Jahja (Suzuki – Prishtina RT) + 37.727
Kategoria e tretë:
- Përparim Dushi (Honda – Prishtinaq RT) 04:02.630
- Bujar Gola (Yugo – Gjakova 137) + 16.784
- Besar Pruthi (Honda – Gjakova 137) + 21.620
Kategoria e katërt:
- Arbnor Musliu (Opel – Prishtina RCP) 04:08.245
- Besfort Bunjaku (Renault – Ferizaj) + 13.520
- Arbër Rexhepi (Golf – Ferizaj) + 14.564
Kategoria e pestë:
- Blerand Hasanaj (Opel – DTM) 04:00.521
- Gentian Kulla (Honda – DDA) + 07/032
- Naim Dashaj (Subaru – Prishtina RT) + 22.606
Kategoria e gjashtë:
- Bardhyl Canolli (BMW – Prishtina RT) 04:09.350
- Xhemshit Hasani (Opel – Prishtina RCP) + 03.941