Telegrafi

Rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore të Shkodrës dhe juglindjes së vendit

Janë rikthyer reshjet e dëborës në qarkun e Shkodrës. Zona e Vermoshit në Kelmend ka prani të reshjeve të borës që nga mbrëmja e djeshme ndërsa borëpastrueset ndodhen në terren.

Edhe Qafa e Thorës është përfshirë nga reshjet e bores ndërsa po punohet për mirëmbajtjen e rrugës.

Momentalisht nuk paraqiten problematika ndërsa reshjet vijojnë me intensitet të ulët.

Moti i keq me reshje dëbore ka pasur edhe në zonat malore në juglindje të vendit. Me të dendura reshjet kanë qenë në lartësitë në 1,200 m mbi nivelin e detit, madje në afërsi të Bigëllit në Dardhë trashësia ka shkuar nga 10-15 cm.

Aksi rrugor është i kalueshëm pa probleme ndërkohë që reshje dëbore të dendura ka pasur edhe në fshatrat e Devollit të Sipërm, Sinicë, Qytezë, Arrze, Nikolice, fshatra këto që kufizohen me Dardhën.

Reshje bore ka pasur edhe në zonën e Shtyllës së Vithkuqit por trashësia nuk ka qenë më e madhe se 5 cm në majë të Mashkullorës.

Nga reshjet e dëborës të orëve të fundit nuk raportohen probleme për sa i përket qarkullimit në zonat malore pasi temperaturat nuk kanë shkuar nën minus.

Nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë zyrtarisht u tha se në asnjë prej zonave të qarkut të Korçës nuk ka pasur probleme për sa i përket furnizimit me energji elektrike. Në disa zona ka pasur vetëm stakime të kontrolluara për shkak të stuhisë një natë më parë. /Telegrafi/