Site icon Telegrafi

Rikthehen radhët në kufirin Shqipëri- Kosovë, skadon marrëveshja e lëvizjes së lirë gjatë verës

Marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës, gjatë sezonit turistik, nga një tetori ka pushuar së funksionuari, duke rikthyer radhët e pritjes në kufirin e Kosovës e Shqipërisë.

Pavarësisht se pikat kufitare po punojnë me katër sportele secila, drejtuesit e automjeteve dhe udhëtarët po qëndrojnë 20-30 minuta në kufi për të përpunuar të dhënat e tyre.

Vonesat në verifikimin e kontrolleve kufitare kanë krijuar edhe radhë autokolonash me automjete, raporton A2 CNN.

Qytetarët kërkojnë që marrëveshja e verës të rikthehet edhe në periudhën tjetër të vitit, ndërsa kontrollet të ushtrohen për personat që mund të jenë të dyshuar.

“Jemi nisur nga aeroporti i Tiranës e po shkojmë në Shkup, këtu në kufi është katastrofë, po presim 30 minuta për shkak të radhëve. Po udhëtojmë drejtë Shkupit”, thotë një qytetar nga Maqedonia e Veriut.

Marrëveshja e lëvizjes së lirë të nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e këtij viti shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror.

Pika kufitare tokësore e Morinës përpunon numrin më të madh të qytetarëve në Republikën e Shqipërisë.

Exit mobile version