Daley Blind ka shkaktuar shqetësim të martën mbrëma, pasi ka kolabuar gjatë një ndeshjeje miqësore ndërmjet Ajaxit dhe Hertha Berlinit.
Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit ka pasur probleme me zemrën në të kaluarën, ndërsa në dhjetor ishte diagnostikuar me inflamacion të muskulit të zemrës, pasi kishte pasur marramendje gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Valencias.
Në muajin shkurt, ai i është kthyer futbollit me ekipin e parë, mirëpo duket se problemi i është kthyer, pasi është shtrirë në fushë kah fazat e fundit të ndeshjes në Amsterdam.
Bashkëlojtarët e kanë rrethuar menjëherë, ndërsa stafi mjekësor ka reaguar për t’ia dhënë ndihmën e parë. Ai e kishte fërkuar gjoksin, ndërsa më pas ishte në gjendje që të largohej me vetëdije nga fusha.
Pas ndeshjes, trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag, ka thënë se ishte ndërprerë aparati ICD (defibrilatori kardioverter i implantueshëm) – që është përgjegjës për ritmin normal të zemrës.
“Ai është zëvendësuar menjëherë dhe është në rregull tash, ai ndihet mirë. Do të bëjmë ekzaminime lidhur me këtë”, ka thënë trajneri. /Telegrafi/