Telegrafi

Rikthehen automobilistët

Pas një pauze prej një muaji, automobilistët e Kosovës sërish do të kthehen në shtigjet e garave. Madje, shtatori do të jetë i stërmbushur me aktivitetet e tyre.

Në këtë fundjavë ata do të garojnë në garën malore, në Pousko afër të Prizrenit. Është kjo gara e pestë në disiplinën malore, ndërsa e nënta në përgjithësi në kampionatin e sivjetmë të Kosovës.

Organizator i garës së kësaj fundjave është Federata e Auto-Sportit e Kosovës, në bashkëpunim me Auto-Klubin Prizreni.

Garuesit, të cilët edhe më parë janë sprovuar në shtegun e Pouskos, shprehen optimistë për një garë atraktive, gjë të cilën edhe e mundëson ky shteg.

Pas garës në Pousko, Kampionati i Kosovës vazhdon në Kullë, pastaj më 19 e 20 shtator nëntë garues tanë do të jenë në Buzet të Kroacisë, për të vazhduar në fundjavën e fundit të shtatorit me garën e kartingut që do të zhvillohet në Prizren.