Telegrafi

Rihapja e fitneseve, trajneri Egzon Shkololli rekomandon mënyrën më të mirë se si duhet rikthyer në ushtrime

Foto: Egzon Shkololli/Instagram

Me vendimet e reja të marra nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë, është lejuar rihapja e fitneseve dhe palestrave sportive.

Ato qëndruan të mbyllur për më shumë se dy javë, si masë kufizuese e ndërmarrë nga institucionet për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Trajneri i njohur i fitnesit dhe ‘crossfit’-it, Egzon Shkololli, e quajti të padrejtë vendimin për pezullimin e punës së fitneseve këto dy javë.

“Së pari mbyllja e fitneseve dhe palestrave ishte një vendim i pamenduar dhe shumë drastik. Përderisa lokalet, qendrat tregtare, e shumë biznese tjera punonin, ne pësuam një mbyllje të pa vend. Palestra është vendi ku lufton me ushtrime çdo virus dhe sëmundje tjetër”, ka thënë Egzoni për Telegrafin.

Foto: Egzon Shkololli/Instagram

Ai tha se mbyllja shkaktoi mjaftueshëm dëme, pasi dihet që fluksi më i madh i klientëve është këto muaj.

“Mbyllja na dëmtoi mjaftueshëm për të ia filluar nga e para. Fluksi i punës tek ne janë këto muaj. Shpresojmë mos të kemi mbyllje tjetër dhe mos të përballemi me masa të këtij lloji”, shtoi Shkololli.

Megjithatë për të gjithë ata që i janë larguar rutinës së përditshme dhe demotivuar për të nisur ushtrimet nga fillimi, ka një mënyrë rikthimi në ushtrimet e përditshme, sipas trajnerit të njohur.

“Pas këtij pushimi dyjavor mënyra më e mirë për tu kthyer në ushtrime është arsyeja e të menduarit për trupin sa më fit dhe mendjen sa më të shëndoshë. Stërvitja është vet jeta. Është pjesa më e bukur e ditës që ndajmë për veten tonë. Me 45 minuta ushtrime çdo ditë, je larg çdo sëmundje, larg stresit dhe gjërave negative në jetë. Ushtrohu mos e humb asnjë ditë treningu, dembelizmi është për të dobëtit, dhe ti nuk je njëri ndër ta”, ka thënë Egzon SHkololli për Telegrafin.