Rihanna i ka quajtur “idiotë” senatorët shtetërorë të Alabamas të cilët kanë votuar në favor të një ndalimi pothuajse total të aborteve, teksa të famshmit vazhdojnë të jenë të zemëruar me miratimin e këtij ligji.
Këngëtarja e lindur në Barbados, shkroi një status në Twitter të enjten, duke cituar fjalët: “Hidhni një sy. Këta janë idiotët që marrin vendime për Gratë në Amerikë. Guvernatori Kay Ivey … turp për ty”.
Statusi përfshinte një fotografi që tregon të gjithë 25 senatorët e Alabamas të cilët votuan për projektligjin. Ivey ka nënshkruar të mërkurën projektligjin, i cili do të bëjë që abortet në shtet të jenë një krim, përveç në rastet kur rrezikohet jeta e nënës.
Rihanna ishte vetëm një nga shumë të famshmit dhe personalitetet e Hollywoodit që shprehin zemërim mbi ligjin, duke përfshirë një pjesë të tyre të cilat treguan hapur për përvjën personale me abortet.
Midis tyre ishte Minka Kelly e cila tha se aborti i saj ishte “vendimi më i zgjuar” që mund të kishte bërë, shkruan DailyMail, transmeton Telegrafi.
Në mediat sociale, qindra amerikanë të zakonshëm gjithashtu iu përgjigjën thirrjes për t’i dalë kundër këtij projektligji.
“#youknowme” është hashtagu që synon të tregojë se sa e zakonshme është që gratë të përfundojnë shtatëzënitë e tyre nëse diçka nuk shkon.
“1 në 4 gra kanë pasur një abort. Shumë njerëz mendojnë se nuk njohin dikë që ka, por #youknowme (ti më njeh mua)”, shkroi 39-vjeçarja Busy Philipps në një postim në Twitter.
Kujtojmë që mbështetje pro mbajtjes së abortit legal e kanë dhënë edhe dy artistet shqiptare me famë botërore: Dua Lipa dhe Bebe Rexha. /Telegrafi/