Deri sot dihej se në Amerikë dikur kanë jetuar dhe vepruar vetëm dy fotografë me prejardhje shqiptare, Gjon Mili dhe Dhimitër Mborja (Bratko). Por, në mesin e tyre ishte edhe një tjetër…
“Gjeniu shqiptar” apo “shqiptari i çmendur” – siç e quanin amerikanët fotografin shqiptaro-amerikan Gjon Milin – ishte vetëm 19 vjeç kur me mbështetjen morale dhe financiare të dajës së tij, Koço Çekanit, më 1923 zbarkoi në SHBA për ta realizuar ëndrrën e tij amerikane! Koço mund të konsiderohet më meritori që Amerika fitoi një prej fotografëve më zhbirilues në aspektin e zhvillimit të teknikave të reja fotografike, kurse shqiptarët fotografin më të madh dhe më të talentuar të të gjitha kohërave.
Ky shkrim nuk ka për qëllim të trajtojë jetën dhe veprën e “shqiptarit zemërbardhë” – siç e quante Milin tonë dramaturgu i madh irlandez Sean O’Casey – jo pse për të nuk ka më çka të thuhet më shumë seç është thënë përmes shkrimeve e dokumentarëve të shumtë që ofrojnë të dhëna për veprën dhe jetën e fotografit unik shqiptar (jo rrallë edhe të pavërteta e gjëra të pabazuara në fakte nga “studiues” të vetëshpallur të Gjon Milit).
Do të ndalemi te Koço Çekani dhe një detaj tërësisht i panjohur deri tash. Koço – vëllai i nënës së Milit – ka ndihmuar të krijohet edhe një tjetër fotograf për të cilin nuk është shkruar asnjëherë në letrat dhe mediet shqiptare: Riçard Çekanin (Richard Checani, biri i tij i dytë).
Riçard Çekani, siç figuron në të gjitha dokumentet dhe materialet që kam hulumtuar për të – deri tash krejtësisht anonim për ne – u lind në qytetin Natick të Massachusettsit, më 29 shtator të vitit 1929, nga babai Koço dhe nëna Evantia (Kreshpani) – që të dy nga Korça. Çifti Koço-Evantia rritën pesë fëmijë (vajzën Helen dhe djemtë Robert, Richard, Theodore dhe Charles). Ka të ngjarë që edhe Riçardi ndoqi studimet në MIT (Massachusetts Institut of Technology), si djali i tij i hallës, Gjon Mili, sepse edhe ky kishte miqësi me profesorin dhe zbuluesin e madh të pajisjeve elektrike, Harold Edgerton.
Fotografitë që ka realizuar Riçard Çekani gjatë viteve ’50-’60 të shekullit të kaluar, tregojnë përpjekjet e tij për të realizuar fotografi me tekniken stroboskopike, çka dëshmon influencën që kishte puna e Gjon Milit në krijimtarinë e tij. Meqë Riçardi ishte më i ri në moshë se Mili, ky i fundit bënte përpjekje që ta angazhonte atë në revistën LIFE, për ta ndihmuar karrierën e tij si fotograf. Kështu, në edicionin e revistës LIFE të datës 22 nëntor të vitit 1954, tek faqet 113,114,115, 116, 117, 118 gjejmë artikullin “The Rainbow-Parade of color shows begins to dazzle U.S.” që i kushtohet fillimit të përdorimit të televizorëve me ngjyra në Amerikë dhe realizimit të emisioneve të para televizive në teknologjinë me ngjyra. Të gjitha fotografitë që ilustrojnë këtë shkrim, janë të realizuara nga Gjon Mili dhe nga Richard “Dick” Checani (Riçard Çekani).
Pas këtij debutimi të Çekanit në LIFE, nuk gjejmë ndonjë paraqitje tjetër të tij në këtë revistë prestigjioze. Mbase ai nuk arriti ta dëshmojë sa duhet talentin e tij para redaktorëve me shije të stërholluar të revistës Life.
Riçard Çekani pjesën tjetër të jetës do ta kalojë në studion e tij fotografike në qytetin Elmhurst të New Yorkut, ku kryesisht bënte fotoportrete dhe fotografi për gazetat lokale. Njihet si koleksionisti më i madh i veprave fotografike dhe filmave dokumentarë të Gjon Milit. Një numër i madh i fotografive të stampuara dhe të nënshkruara nga vet Mili, por edhe të vulosura me vulën që ka mbishkrimin “Gjon Mili-The Richard Checani Collection”, janë shitur apo shiten edhe sot nëpër shtëpi të njohura ankandi si pjesë e koleksionit të tij.
Riçard Çekani vdiq në moshën 81-vjeçare, me 26 nëntor të vitit 2010. /Telegrafi/