Ribashkimi 30 vjet më parë krijoi një Gjermani të fuqishme, nga e cila përfiton Evropa. Tregimi lindor për ribashkimin sivjet ka përballë tregimin perëndimor, shkruan Auron Dodi.
“Është e enjte, 4 tetor, ora dy. Ju flet Deutschlandfunk me lajmet: Dyshtetësia gjermane mori fund. Në mesnatë hyri në fuqi aderimi i Republikës Demokratike Gjermane në Republikën Federale të Gjermanisë. Volkskammer (Parlamenti i RDGJ) në Berlinin Lindor e pati vendosur këtë aderim në gusht. Me këtë, RDGJ, sipas kuptimit të ish-partisë shtet SED, shtet socialist i kombit gjerman, pushoi së ekzistuari. Gjermania e ribashkuar është tani, 45 vjet pas përfundimit të luftës, përsëri shtet sovran. Katër fuqitë fituese më parë i patën pezulluar të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në lidhje me Berlinin dhe Gjermaninë si një të tërë. Sovraniteti përfundimtar do të hyjë në fuqi kur parlamentet e Katër Fuqive ta kenë ratifikuar këtë. Para ndërtesës së Rajshtagut në Berlin në mesnatë, për të treguar ribashkimin u ngrit një flamur i madh zi-kuq-i artë, në Bashkinë Schöneberg ra këmbana e lirisë”.
Me këto fjalë i përshkroi momentet e para të Gjermanisë së ribashkuar Radioja Kombëtare Gjermane, Deutschlandfunk.
Sot Gjermania e ribashkuar mbush 30 vjet. Gjermania e tri dekadave të fundit është Gjermania më e mirë që ka ekzistuar ndonjëherë, për shumicën e gjermanëve dhe për botën: demokratike, e parashikueshme në veprime, e vlerësuar gjerësisht në botë.
Ky nuk është vetëlavdërim i gjermanëve, por vlerësim i të tjerëve, ngjashëm konkludoi së fundi në shtypin evropian edhe historiani i njohur britanik, Timothy Garton Ash.
Para ribashkimit me pjesën lindore, Gjermania Perëndimore, Republika Federale ishte një shtet shembullor demokratik, i integruar në NATO e në BE. Megjithëkëtë, hyrja e të gjithë Gjermanisë në grupin e demokracive perëndimore më 3 tetor 1990 u prit me ndjenja të dyfishta në kryeqytetet evropiane: me kuriozitet, por edhe me drojë.
Droja kishte të bënte më të panjohurën që sillte për Evropën ky shtet “me madhësi kritike”, siç e ka quajtur atë ish-kancelari gjerman Kurt Georg Kiesinger.
A do të zgjohen te ky anëtar shembullor i bashkësisë “instinkte të vjetra”, kjo pyetje i preokupon shtetet e tjera, shprehej revista amerikane “Time” pak pas ribashkimit.
A do të kërcënojë Gjermania e ribashkuar ekuilibrat dhe sigurinë e Evropës, ky ishte preokupimi i kryeministres britanike Margaret Thatcher në përpjekjen e saj fillestare për ta frenuar ribashkimin gjerman.
Sot, 30 vjet më vonë, Gjermania është kthyer në shtet të pazëvendësueshëm në BE.
Në qershor 2013, në artikullin “The reluctant hegemon” (“Hegjemon kundër dëshirës”), e përjavshmja britanike The Economist shkruante se “rreziku për Evropën sot nuk konsiston në një udhëheqje shumë të fortë gjermane, por në një udhëheqje të dobët”.
Rol koordinues në krizat në Evropë
Krizat e dekadave të fundit në Evropë dhe botë evidentuan një Gjermani të përgatitur më mirë se shtete të tjera, për të drejtuar me konsensus Bashkimin Evropian të 27 shteteve.
Ishte Gjermania ajo që organizoi përgjigjen evropiane ndaj krizës financiare në vitet 2008-2009, përcaktoi drejtimin dhe strategjinë e politikës së shëndoshjes ekonomike në BE.
Në momente të rëndësishme kthese në botë, vëmendja e opinionit është drejtuar te Gjermania dhe kancelarja Merkel.
Me ndërrimin e administratës në SHBA në vitin 2016, bota e civilizuar u kthye natyrshëm për udhëheqje morale nga Gjermania. Kancelarja Angela Merkel u portretizua në mediet evropiane me këmbëngulje si mbrojtësja e fundit e vlerave liberale të Perëndimit.
Dekadën e fundit Gjermania është treguar më aktive edhe në politikën e jashtme.
Administrimi i sovranitetit gjerman nga fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore e mbajti të kufizuar për gjermanët deri në ribashkim këtë fushë të politikës.
Në vitin 2014, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, përfaqësues të elitës gjermane e shtruan si nevojë të domosdoshme gjallërimin e politikës së jashtme. Presidenti i atëhershëm i Gjermanisë, Joachim Gauck kërkoi në Mynih që Gjermania të reagojë “më herët, më me vendosmëri, më thelbësisht”.
Këtë Gjermania e ka bërë duke e “drejtuar që nga mesi” Bashkimin Evropian, si “e para midis të barabartëve”.
Disa momente për t’u veçuar janë shkurti 2015, kur Gjermania me Francën ndërmjetësuan Marrëveshjen e Minskut, për Ukrainën; nëntori 2019, kur Gjermania nisi angazhimin për një drejtim të ri të NATO-s; ky vit i pandemisë së Covid-19, kur kancelarja Merkel koordinoi – së bashku me Francën – përpjekjen historike për rindërtimin e Evropës pas pandemisë dhe për kufizimin kështu të ndërhyrjes së huaj në BE.
Gjermania para ndryshimeve
Natyrisht që në këtë drejtim, në politikën e jashtme dhe të sigurisë, ka ende potencial të pashfrytëzuar.
Gjermania ka rritur ndjeshëm vitet e fundit shpenzimet ushtarake: në vitin 2020 ato arrijnë 50,4 miliardë Euro ose 1,58% të Produktit të Brendshëm Bruto. Por “përballë ndryshimeve masive të ambjentit të sigurisë” kjo nuk mjafton, konstaton një studim i fundit i Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Ndërkohë 30 vjetori i ribashkimit e gjen Gjermaninë në krye të një procesi ndryshimi.
Goditja e Gjermanisë dhe e Evropës nga Covid-19 i ofroi kancelares Merkel një mundësi për të ndjekur politika proevropiane deri dje vështirë të përfytyrueshme për establishmentin dhe se do të gjenin mbështetjen e opinionit publik gjerman.
Gjermania braktisi së fundi grupin e “shteteve kursimtare” të Evropës. Kancelarja Merkel ra dakord që Gjermania të hyjë për dekada në borxh, me Bashkimin Evropian, për të transferuar kapital me grante e kredi kryesisht në jug të Evropës. Për të financuar këto grante, Gjermania pranon një ulje me rreth dy përqind të Produktit të Brendshëm Bruto (krahasuar me 2019), publikoi javën e kaluar Banka Qendrore Evropiane.
Ky hap dëshmon kthjelltësi, pragmatizëm e zhdërvjelltësi të elitave gjermane përballë sfidave të reja globale.
Në momente vendimtare, siç është kërcënimi shkatërrues i disa shteteve të BE nga pandemia, politikanët gjermanë vendosën për Evropën.
Tregimi i Perëndimit për ribashkimin ndryshon nga ai i Lindjes
Dy pjesët e Gjermanisë në tri dekadat e fundit janë afruar më tej. Traumat që mbeten te një pjesë e gjermanolindorëve për ribashkimin lidhen me mënyrën si u ribashkua Gjermania, jo me faktin që ajo u ribashkua.
Vjet, në 30 vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit depërtoi në publik më me forcë tregimi i Lindjes për ribashkimin, kryesisht pakënaqësitë. Partia ultra e djathtë, Alternativa për Gjermaninë qe forcuar në zgjedhjet në landet lindore. Dhe kjo bëri që në forume t’i lihej gjerësisht vend asaj që mendon Lindja për ribashkimin.
Sivjet në 30 vjetorin e ribashkimit dëgjohet më fort edhe “përgjigjja” e Perëndimit për tregimin e Lindjes për ribashkimin. Në emisione televizive dhe në artikuj në gazeta, analistë dhe historianë kujdesen për një inkuadrim më të balancuar të zhvillimeve historike rreth ribashkimit.
Në thelb përgjigja që vjen nga Perëndimi është se nuk ekzistonte një model historik për një ribashkim si ai gjermano-gjerman. Në këto kushte Gjermania Perëndimore veproi aq mirë sa dinte, qoftë edhe me gabime.
Baza e vjetëruar industriale e RDGJ ishte e destinuar të shkatërrohej, përballë hapjes së tregut të të gjitha shteteve lindore për produkte më cilësore perëndimore. (Këtu, nga ana tjetër, duhet kujtuar fakti se disa shtete të tjera ish-komuniste e hapën më gradualisht industrinë ndaj Perëndimit, e subvencionuan edhe pas kthesës politike atë, për të shmangur tronditjet sociale).
“Aneksimi” përballë hyrjes vullnetare
Kritikës së disa gjermanolindorëve se ribashkimi qe në fakt “aneksim” i Lindjes nga Perëndimi, historianët i kujtojnë sivjet se RDGJ hyri vullnetarisht në RFGJ. Parlamenti i parë, i dalë nga zgjedhje të lira në RDGJ, paraqiti lutje që pesë landet e reja të Lindjes dhe Berlini Lindor të hynin në Gjermaninë e ribashkuar. Dëshira për një mirëqënie të ngjashme me Gjermaninë perëndimore ishte një faktor i fuqishëm motivues për gjermanolindorët. Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier e kujtoi së fundi (21.09.) dëshirën e vetë gjermanolindorëve për t’u ribashkuar me Perëndimin: ai nderoi kryeministrin e fundit të RDGJ, Lothar de Maiziere, qeveria e të cilit bashkëpërgatiti ribashkimin.
Ribashkimi nuk mund të kryhej si midis të barabartëve, pasi sistemi politik dhe ekonomik lindor kishte dështuar e pësuar kolaps, kurse Gjermania Perëndimore qe në lulëzim.
Politologu i Berlinit, Klaus Schroeder, shkroi këtë javë në gazetën “Neue Zürcher Zeitung” se megjithëkëtë, në sajë të transfertave perëndimore, një familjeje gjermanolindore pas ribashkimit, iu deshën vetëm pesë vjet, deri në mes të viteve 1990, për të pasur ato të ardhura, për të cilat një familjeje perëndimore i qenë dashur 30 vjet.
Përballë shkretimit social të shumë qyteteve gjermanolindore pas shpërbërjes së bazës së tyre industriale, gjermanolindorët prej vitesh vënë premtimin e Helmut Kohlit, të korrikut 1990, se landet lindore do të kthehen në “peizazhe të lulëzuara”.
Analistë kujtojnë sivjet se qytete si Jena, Dresdeni, Lajpcigu janë në lulëzim, ato tërheqin sipërmarrës, studentë e artistë. Dhe se fuqia mesatare ekonomike e landeve lindore me Berlinin ka arritur aktualisht 79,1 përqind të mesatares së Gjermanisë.
Është padyshim trishtuese të mësosh që një punonjës, që ka punuar një jetë të tërë në RDGJ, të marrë sot në Gjermaninë e bashkuar p.sh. një pension minimal mujor prej 800 Eurosh. Në të njëjtën kohë, transfertat masive financiare të Perëndimit në Lindje nuk kanë reshtur: deri vitin e kaluar ato kanë arritur shumën deri 2.5 bilionë Euro.
Në bazë të sondazheve të fundit të disa instituteve demoskopike gjermane, edhe gjermanolindorët jetojnë me dëshirë në Gjermani. Në këtë 30 vjetor ky është padyshim një emërues i përbashkët i dy pjesëve të Gjermanisë. /DW/