Telegrafi

Ribalanci i buxhetit në pritje të nënshkrimit të kryetarit Ivanov

Ribalanci i buxhetit të vitit 2017, i cili pas debateve të gjata, u votua në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, është në ditën e gjashtë të pritjes së nënshkrimit të Kryetarit të shtetit, Gjorge Ivanov, dhe pas shpalljes në ‘Gazetën zyrtare’ të hyjë në fuqi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nesër është dita e fundit e afatit ligjor kur Ivanov duhet të nënshkruaj dokumentin e ribalancit. Në rast se nuk nënshkruhet brenda këtij afati, ai duhet të lajmërojë me shkrim Kuvendin për arsyet e mos respektimit të afatit ligjor.

Sipas informatave jozyrtare, kryetari Ivanov është në pushim jashtë shtetit, por pritet të kthehet në kohë për të nënshkruar Ribalancin brenda kufizimit kohor të paraparë me ligj.

Me këtë ribalanc buxhetor, institucionet e shtetit do të kenë 47 milionë euro më pak para në fondin e tyre./Telegrafi/