Radja Nainggolan pritet të nisë nga minuta e parë në ndeshjen kundër Juventusit, pas shqetësimeve që i pati me lëndimin e muskulit të këmbës së majtë.
Derbi i javës së 36-të në Serie A zhvillohet të dielën në Stadio Olimpico, ku Roma i pret Bianconerët.
Edin Dzeko tashmë është konfirmuar se nuk do të luajë, pasi do të mungojë 10 ditë, ndërsa Kevin Strootman do ta plotësojë suspendimin prej dy ndeshjesh.
Nainggolan e kishte lënduar këmbën e majtë dhe ishte në dyshim për takimin e rëndësishëm të sezonit, mirëpo njoftimet e reja thonë se belgu është riaftësuar për lojë.
Roma është duke konkurruar me Napolin për pozitën e dytë në tabelë që çon direkt në Ligën e Kampionëve, ndërsa fitorja eventuale ndaj Juves mund ta bëjë interesant fundin e sezonit. /Telegrafi/