Telegrafi

Riafirmim i nevojës së marrëveshjes për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi

Ministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i angazhuar për diasporën, Edmond Ademi, sot në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, realizoi takim me drejtorin e Drejtorisë për Diasporë, Predrag Mitroviq.

Ademi në takimin shprehu falënderim për marrëdhëniet pozitive të shtetit të Malit të Zi në raport me diasporën nga Maqedonia e Veriut, si dhe për bashkëpunimin e institucioneve malazeze me shoqatat e shtetasve tanë.

Ai e riafirmoi interesin për arritjen e marrëveshjes për mbrojtjen e të drejtave të pakicës nga Maqedonia e Veriut në Mal të Zi dhe pakicën malazeze në Maqedoninë e Veriut, për çka ka gatishmëri nga të dyja anët.

Ministri Ademi u takua edhe me përfaqësues të shoqatave nga Maqedonia e Veriut në Mal të Zi, ku pati rastin të njihet me përpjekjet e diasporës tonë për formimin e Këshillit nacional maqedonas në këtë shtet, si dhe për mundësinë për mbështetje institucionale të procesit.