Rezultatet e reja të autopsisë tregojnë se dy kalifornianë vdiqën nga coronavirusi në fillim dhe në mes të shkurtit – deri në tre javë para vdekjes së parë të njohur amerikane të parë nga virusi.
Këto vdekje tani janë dy nga më të hershmet e vendit që i atribuohen coronavirusit, një zhvillim që mund të ndryshojë të kuptuarit se sa herët u përhap virusi në vend, thanë ekspertët e shëndetit për CNN të mërkurën, përcjell Telegrafi.
Siç thuhet më tej, dy vdekje në Qarkun Santa Clara të Kalifornisë së Veriut ndodhën më 6 dhe 17 shkurt, tha qarku të martën në një njoftim.
Vdekja e radhës e njohur deri më tani nga coronavirusi ndodhi më 29 shkurt në Kirkland, Uashington.
Të dy viktimat thuhet se nuk kishin histori të njohura të udhëtimit për në Kinë apo kudo tjetër që do t’i ekspozonte ata ndaj virusit, i tha dr. Sara Cody, drejtor kryesor mjekësor i qarkut.
Ata supozohet se kanë kapur virusin përmes përhapjes së komunitetit, tha ajo për The New York Times.
“Ky është një konstatim shumë domethënës”, i tha të mërkurën Dr. Ashish K. Jha, drejtori i Institutit Global të Shëndetit në Harvard, për “New Day” të CNN.
“Dikush që vdiq më 6 shkurt, ai ndoshta e kontraktoi atë virus më herët deri në mes të janarit. Duhen të paktën dy deri në tre javë nga koha kur ju kontraktoni virusin dhe ju vdisni prej tij”.
Nëse ata nuk do të kontraktonin coronavirusin përmes udhëtimit jashtë vendit, kjo gjithashtu është domethënëse, tha Jha.
“Kjo do të thotë se kishte përhapje të komunitetit që po ndodhte në Kaliforni qysh në mes të janarit, nëse jo më herët se kaq”, ka thënë më tej Jha.
“Ne me të vërtetë duhet të kthehemi përsëri, të shohim shumë më tepër raste nga Janari – madje edhe Dhjetori – dhe të përpiqemi të përcaktojmë kur e hasëm së pari me të vërtetë këtë virus në Shtetet e Bashkuara”, ka shtuar Jha. /Telegrafi/