Site icon Telegrafi

Rezoluta e KS e Kombeve të Bashkuara – Autoritetet palestineze thonë se është një hap përpara, Hamasi se nuk mjafton

Sot kanë reaguar Ministria e Jashtme Palestineze dhe grupi islamik Hamas për miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për dërgimin e më shumë ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Ministria e Jashtme palestineze e përshkroi rezolutën si “një hap në drejtimin e duhur” dhe tha se do të ndihmonte “për t’i dhënë fund agresionit, për të siguruar arritjen e ndihmave dhe për të mbrojtur popullin palestinez”.

“Ne e konsiderojmë atë një hap që mund të kontribuojë në zbutjen e vuajtjeve të popullit tonë në Rripin e Gazës”, tha Ministria e Punëve të Jashtme në një deklaratë.

Lexo po ashtu OKB-ja miraton rezolutë për ndihma në Gazë, por jo për armëpushim

Por, Hamasi, militantët që sundojnë Gazën, e shohin rezolutën si një “hap të pamjaftueshëm” për të përmbushur nevojat e enklavës së varfër.

“Administrata amerikane ka punuar shumë gjatë pesë ditëve të fundit për të hequr thelbin e kësaj rezolute dhe për ta pasur atë në këtë formulim të dobët…Ajo sfidon vullnetin e komunitetit ndërkombëtar dhe Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të ndaluar agresionin izraelit kundër popullit tonë palestinez të pafuqishëm”, tha Hamasi.

Më herët sot, në mes të zemërimit global për numrin në rritje të vdekjeve në Gaza në luftën 11-javore midis Izraelit dhe Hamasit dhe përkeqësimit të krizës humanitare në enklavën palestineze, Shtetet e Bashkuara abstenuan, duke lejuar Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh të miratojë një rezolutë të hartuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. /Telegrafi/

Exit mobile version