Dy ndeshje, dy gola. Ky është Elbasan Rashani, sulmuesi i Rosenborg, që është duke shkëlqyer me fanellën e Kosovës.
I tubuar për herë të parë në një kohë, kur nuk kishim miqësore, ai u fascinua me shokët dhe atmosferën përreth Përfaqësueses së Kosovës.
Pastaj ai ishte i ftuar në ndeshjen vëllazërore kundër Shqipërisë. Ai debutoi në pjesën e dytë, ku edhe arriti të shënojë një gol mjaftë të bukur.
“Prej momentit të parë që kam ardhur këtu jam ndjerë shumë mirë. Këtu është një grup shumë i mirë që më bën të ndjehem sikurse jam rritur me ta. Që nga dita e parë kjo fanellë ma ka vjedhur zemrën”, ka thënë fillimisht Rashani për Telegrafin.
Ai edhe ndeshjen e dytë për Kosovën e filloi nga stoli kundër Ishujve Faroe. Kishte vetëm disa minuta në dispozicion, pasi dalja me karton të kuq e Bersant Celinës, ndryshoi shumë gjëra te Kosova.
https://www.youtube.com/watch?v=IqiShOPpJGw
Por për pak minuta sa ishte në fushë Rashani tregoi edhe një herë klasin e tij. Ai arriti të shënojë golin e dytë për Kosovën në përballje me Ishujt Faroe.
Golin e kishte premtuar para ndeshjes në një intervistë ekskluzive për Telegrafin.
Ky ishte goli i tij i dytë në po aq ndeshje. “Sa herë që futem në lojë mundohem të jap maksimumin. Kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme për ne pas pranimit në FIFA dhe UEFA. Ky ishte një gol shumë i rëndësishëm”, nënvizoi ai.
Kosova ka shënuar fitore kundër Ishujve Faroe, ndërsa pret që të kuptoj edhe grupin se ku do të bëjë gara në kualifikimet për në kampionatin botëror ‘Rusi 2018’. /Telegrafi/