Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, Skender Rexhepi, tha se pushteti po mundohet që ta njollosë opozitën shqiptare për bllokimin të gjitha ligjeve, përfshirë edhe ato të pakos së pestë.
Ai tha se ka propozuar që të harmonizojnë propozim-ligjin për shtetësi dhe në këtë mënyrë të zhbllokohet Kuvendi, por tha se “ka hasur në vesh të shurdhër”.
“Edhe sot në koordinim dola me një kërkesë të re duke ju drejtuar pozitës, duke ju thënën që po, ne jemi shumë të interesuar që qytetarët të përfitojnë nga pakot ekonomike, ngase është interes i tyre, por gjithashtu jemi shumë të interesuar që qytetarët të përfitojnë nga pakot ekonomike, sociale, shëndetësore, edhe ajo kategori e qytetarëve që nuk ka përfituar për 30 vite”.
“Prandaj, për zhbllokimin e Kuvendit, propozova që shumica, pasi që në deklaratat e tyre televizive vazhdimisht kanë edhe ata propozim ligj për shtetësi, unë u bëra ftesë le ta sjellin propozimin ligjin që e kanë ata dhe propozim ligjin tonë, t’i harmonizojmë dhe të bëjmë një propozim ligj të përbashkët i cili mund të shkoje i përbashkët me emër të gjithë grupeve parlamentare por të jetë në interes të qytetarëve që janë të prekur. Por hasa në vesh të shurdhër tek shumica, përfaqësuesit e grupeve parlamentare”, deklaroi Skender Rexhepi.