Telegrafi

Rexhepi: Penalltia na prishi hesapet, djemtë nuk u dorëzuan

Trajneri i Feronikelit’74, Xhengiz Rexhepi është shprehur i dëshpëruar pas disfatës që ekipi i tij pësoi si vendas ndaj Llapit me rezultat 3-0.

“Penalltia në një farë mënyre jo se na prishi hesapet por në këto ndeshje e rëndësishme është se kush avancon i pari. Llapi ka shumë skuadër të fortë e cilësi dhe pas golit të parë, arritën edhe ta dyfishojnë epërsinë. E kemi ditur nga fillimi i edicionit se do të kemi vështirësi. Ne kemi futbollistë të mirë që kanë pasur edhe minutazhë në skuadrat ku kanë luajtur, por përballemi me ekipe që janë të mirë në çdo aspekt”.

Në vazhdim, ai pati disa fjalë për ekipin e tij, duke i përgëzuar për ndeshjen që ata shfaqën në fushë përkundër disavantazhit.

“Kemi luajtur lojë të mirë. Edhe pse rezultati ishte 3:0, djemtë luajtën deri në fund. Kjo më bën krenar pasi nuk u dorëzuam në asnjë moment. Kemi pasur orar të vështirë dhe probleme me lëndime”, është shprehur Rexhepi.

Kjo ishte humbja e katërt për Feronikelin në këtë edicion të garave, teksa numërojnë vetëm 3 pikë në renditjen tabelare. Të besuarit e Xhengiz Rexhepit javën e ardhshme udhëtojnë në Prizren aty ku do të ndeshen me Lirinë, ndërsa Llapi pret në shtëpi Gjilanin./Telegrafi/