Njohësi i çështjeve ekonomike, tani pjesë e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Ibrahim Rexhepi, ka thënë se kjo parti mund të qeverisë vetëm më ato parti të cilat e pranojnë programin e tyre ekonomik.
Ai ka thënë se AKR-ja nuk do të bashkëqeverisë me asnjë parti e cila identifikohet me krimin dhe korrupsionin.
“Rreth kësaj çështje kemi kritere të caktuara. Nuk do të bashkëqeverisim me asnjë parti përgjegjëse për situatën e mjerë në të cilën është vendi, meqenëse kjo gjendje është rezultat i mospunës dhe mosdijes së tyre. Nuk do të bashkëqeverisim me asnjë parti e cila identifikohet me krimin dhe korrupsionin, si dhe me keqpërdorimin e parasë publike. E kemi edhe një kriter, i cili për ne është shumë i rëndësishëm, që secila parti që është e gatshëm të bashkëqeverisë me ne, duhet ta pranojë programin ekonomik të AKR-së dhe të jetë e përkushtuar për zbatimin e tij”, tha ai në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”.
Rexhepi ka thënë se nuk do ta shfrytëzojnë administratën publike për punësim, por do t’i hapin perspektivë sektorit privat.
“Në programin e AKR-së thuhet qartë se qeverisja nuk do të shfrytëzohet për punësim në administratën publike apo në ndërmarrjet publike, sektorë të stërngarkur me punëtorë, që kryesisht janë joproduktivë. Ne do të krijojmë ambient joshës, ndërsa punësimi do të ndodhë në sektorin privat dhe duke aktivizuar disa potenciale ekonomike, që aktualisht janë në gjumë, siç është “Trepça”. Duke u bazuar në këtë koncept, është reale të pritet që në vitin e dytë të qeverisjes të hapen 60 mijë vende të reja të punës. Ndërkaq synim i fundit është ai që secila familje në Kosovë të ketë së paku një të punësuar”, ka theksura Rexhepi.
Sa iu përket zonave të lira ekonomike, të cilat janë propozuar nga presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, Rexhepi ka thënë se Qeveria ka huqur në këtë drejtim.
“Zonat e lira ekonomike kanë qenë ide e presidentit Pacolli derisa ishte në postin e zëvendëskryeministrit. Mirëpo kjo Qeveri nuk ka bërë asnjë hap më tutje drejt jetësimit të kësaj ideje, e cila do t’i sillte shumë të mira biznesit në vend”, është shprehur Ibrahim Rexhepi. /Telegrafi/