Anulimi i protestës së partive opozitare, e paralajmëruar për datën 26 të këtij muaji, qysh një muaj më parë, veç qytetarëve, ka befasuar dhe eksponentë të rëndësishëm të këtyre partive.
Paqartësia rreth mbajtjes apo jo të kësaj proteste u rrit, pasi partitë opozitare anuluan konferencën për medie, dhe liderët e tyre u takuan për të diskutuar.
Disa orë para këtyre zhvillimeve, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, shpërndau, në llogarinë e tij në Facebook, thirrjen për protestë.
Nga këto zhvillimet lihet të kuptohet që askush nuk e kishte të qartë se çfarë do të ndodhte, dhe vendimi është marrë aty për aty, në takimin e liderëve në mesditë.
Pas takimit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje – shefi partiak i Selimit – Visar Ymeri, nuk ka pranuar të deklarohet për medie.
Por ishin dy liderët e partive opozitare ata që siguruan se kundërshtimi opozitar nuk do të ndalet, dhe protesta do të mbahet një ditë tjetër.
Llideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ishin partnerët politik opozitarë ata që kërkuan që protesta e nesërme të shtyhet për një moment më të përshtatshëm.
Ndërsa Fatmir Limaj, lider i NISMA deklaroi se opozita do të vazhdojë të qëndrojë e bashkuar, ndërsa protesta do të mbahet një ditë tjetër.