Site icon Telegrafi

Rexhep Selimi nuk komenton deklaratën e Stoltenbergut, thotë se FSK-së po i japin kompetenca shtesë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në fund të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

Në lidhje me këtë deklaratë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rexhep Selimi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk ka dashur të komentoj për deklaratën e shefit të NATO-s por ka thënë se FSK-së Kuvendi i Kosovës po i jep kompetenca shtesë.

Lexo po ashtu Stoltenberg paralajmëron Prishtinën: Do të përballeni me pasoja serioze nëse vazhdoni me transformimin e FSK-së në Ushtri

Selimi tha se  FSK-ja është kategori kushtetuese e paraparë dhe me Kushtetutë të Republikës së Kosovës.

“Me datën 14 dhjetor deputetët e parlamentit të Republikës së Kosovës, do t’i votojnë tri projektligje që kanë të bëjnë me FSK-në. FSK-ja është kategori kushtetuese e paraparë dhe me Kushtetutë dhe parlamenti i Kosovës kësaj force po i jep kompetenca dhe detyra shtesë.  Nëse sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, apo kushdo tjetër ka thënë se nëse Kosova do ta bëj FSK-në ushtri do të rrezikohet, nuk kam koment për këtë punë. E di që FSK-në po e  bëjmë me kapacitete shtesë”, ka thënë Selimi.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri përmes tri ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend më 14 dhjetor. /Telegrafi/

Exit mobile version