Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, ka uruar të birin e tij oficer dhe të gjithë qytetarët për formimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Duke e uruar djalin tim oficer për zyrtarizmin e ushtrisë së dytë shqiptare në Ballkan, uroj në radhë të parë shokët e tij, familjet e tyre dhe mbarë qytetarët e Republikës pa dallim”, ka thënë Hoti.
Hoti ka theksuar se në ditën e sotme u zyrtarizua jo vetëm ushtria e Kosovës, por edhe realiteti i përjetshëm mes Kosovës dhe Amerikës.
“Së pari, statusi i saj i përjetshëm strategjik – ushtarak në raport me SHBA-të. Së dyti, SHBA dhe Kosova e kanë tashmë ushtrinë në kufirin Perëndim-Lindje të Evropës Juglindore. Së treti, Kosova së bashku me zyrtarizimin e ushtrisë e ka zyrtarizuar edhe statusin e popullit special në raport me SHBA-në të cilin e ka vetëm populli hebre. Se katërti, me krijimin e ushtrisë BE-ja e ka humbur shansin e saj përfundimtar për të qenë në një rend të interesave shqiptare me SHBA-të”, ka theksuar ai.
Sipas Hotit, krijimi i Ushtrisë së Kosovës pa bekimin e BE-së, po vetëm me miratimin e Britanisë së Madhe, dëshmon se “princeshat dhe princat e BE-së vazhdojnë të jenë të dashuruar në egot e tyre jo rrallë të përlyera dhe vazhdojnë ta trajtojnë Kosovën vetëm si mish për punë fizike dhe të shërbimeve për ta.
Ai në fund thotë se, ushtria e ka hedhur këmbën e mbarë se Kosova nuk do të mund të shantazhet më, sado e padenjë qoftë klasa e saj politike me ose pa gjykata./Telegrafi