Kandidati për deputet nga LDK-ja, Xhavit Rexhaj, ka folur për pasojat pasi Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) ka marrë vendim që ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).
Rexhaj, në “Debat Plus” me Ermal Panduri në RTV Dukagjini, ka thënë se largimi i AKA nga ENQA (Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë) është përgjegjësi e qeverisë në dorëheqje.
Ai ka thënë se vlerësimi i ekspertëve të LDK-së është që AKA do të kthehet në ENQA brenda dy viteve gjatë qeverisjes “që do ta merr LDK-ja”.
“Dy vite nuk janë të pakta e as të gjata. Ka mundësi të kthehet, por me një unë të madhe dhe në një kontekst të një pakti kombëtar për arsimin e lartë dhe arsimin në përgjithësi”.
Rexhaj ka thënë se nëse në Kosovë vazhdohet me garë në politizimin e arsimit dhe universiteteve “nuk do të arrihet askund jo për dy vite por as për dyqind vite”.
Ish-anëtari i AKA (Agjencia Kosovare e Akreditimit) ka shpjeguar edhe pasojat pas vendimit për të përjashtuar këtë institucion nga ENQA.
Ai ka thënë se efektet e këtij vendimi do të ndikojnë te mobiliteti i studentëve.
“Studentët tash duhet të bëjnë marrëveshje individuale. Po ashtu edhe institucionet bëjnë marrëveshje mes institucioneve e jo si shtet”, tha Rexhaj./Telegrafi/