Site icon Telegrafi

Revolucioni që bëri një radio pirate në muzikë

Në fillim të viteve të ’60 të shekullit të kaluar, në Londër dhe në disa qytete të Anglisë, filloi të fermentohej një kulturë që do të sillte ndryshime në këtë vend dhe në tërë botën. Grupe të rinjsh promovonin një stil të ri të muzikës që quhej Rock’n’Roll. Fjala është për grupet The Who, The Rolling Stones, The Beatles, e më vonë Led Zeppelin, Pink Floyd etj.

Por, këto grupe nuk janë popullarizuar shpejt, për shkak se transmetimi i muzikës së tyre ka qenë i kontrolluar nga shtëpitë diskografike dhe kryesisht nga BBC e cila e ka sunduar hapësirën dhe sistemin e radiovalëve në Britani të Madhe. BBC, duke qenë shërbim publik, e ka mbrojtur gjendjen ekzistuese që ishte konservatore dhe nuk lejonte ndryshime të shpejta në shoqëri. Prandaj, muzika pop dhe rock nuk kanë qenë shumë të dëshiruara.

Në vitin 1964, një irlandez 24-vjeçar, i quajtur Ronan O’Rahilly, bëri një veprim që solli ndryshime të mëdha dhe të shpejta. Ai, së bashku me një duzinë të DJ-ve, morën një anije, e vendosën jashtë ujërave territoriale britanike dhe e shndërruan në radio stacion të cilin e emëruan ‘Radio Caroline’. Kjo radio transmetonte 24 orë, non-stop, muzikë të grupeve të njohura e më pak të njohura dhe në këtë mënyrë ka vazhduar punën deri më 1990 duke mos u kontrolluar nga shteti apo nga ndonjë organizatë tjetër. Policia nuk mund të intervenonte pasi që radioja ishte jashtë territorit britanik dhe çfarëdo shteti tjetër. Ky radiostacion u konsiderua pirat, por dëgjohej me të madhe në Britani dhe në shumicën e vendeve Evropiane.

Radioja pirate e theu monopolin që BBC dhe Radio Luksemburgu e kishin vendosur në industrinë e muzikës në Britani dhe në Evropë. Më këtë u shpejtua popullarizimi i muzikës në fjalë dhe anëtarët e grupeve u bënë yje botërore. Së bashku me këto yje muzikore, në këtë kohë po lindnin edhe yje tjera në fushën e kulturës, gjegjësisht filmit. Lindi një klasë e re e aktorëve, por dy u bënë më kryesorët: Michael Caine dhe Sean Connery.

E veçanta e kësaj punë ishte se të gjithë këto personalitete të reja vinin nga shtresa e ulët apo klasa punëtore. Në këtë mënyrë u thye tradita angleze e shoqërisë së klasave që njerëzit e artit dhe kulturës të vinin nga shtresa e lartë apo mundësisht nga ajo e mesme. Madje, për shkak të ndryshimeve që solli teknologjia, këto personalitete u bënë më të rëndësishme se ata që njiheshin më parë nga historia. ‘Radio Caroline’ i promovonte edhe këto ndryshime, edhe pse nuk ishin të lidhura drejtpërsëdrejti me muzikën.

Radiostacionet e këtilla vazhduan të formohen edhe në vende tjera pasi që, sipas një rregulle të pashkruar, ajo që ndodhë në Angli përcillet edhe në vende tjera.

‘Radio Caroline’ ndikoi që të shpejtohej me liberalizimin e rrjetit të shfrytëzimit të valëve nacionale. U nxorën rregulla dhe ligje të reja, të cilat ndikuan në mënjanimin e monopolit që mbanin pak organizata mediale në Britani dhe Evropë.

 

 

Exit mobile version