Site icon Telegrafi

Revista Vogue padit reperët Drake dhe 21 Savage për afro katër milionë euro për shfrytëzimin e imazhit pa leje

Botuesi i revistës ikonë të modës, Vogue, Conde Nast, ka ngritur një padi prej katër milionë dollarësh (afro katër milionë euro) kundër Drake dhe reperit 21 Savage – pasi dyshja krijuan botime false të Vogue për të promovuar albumin e tyre të ri “Her Loss”.

Kopjet u bënë virale në mediat sociale, postera të rremë u vendosën në New York dhe u shpërndanë në vende si: Miami, Atlanta dhe Los Angeles.

Madje Drake shkroi në Twitter së bashku me imazhin e kopertinës: “Unë dhe vëllai im nesër në stendat e gazetave!! Faleminderit revista Vogue dhe Anna Wintour për dashurinë dhe mbështetjen në këtë moment historik”.

Sipas padisë – e paraqitur këtë javë në Distriktin Jugor të New Yorkut dhe e parë nga Page Six – Conde Nast kërkoi që Drake dhe ekipi i tij të ndalonin “përdorimin e paautorizuar të markës tregtare Vogue duke hequr postimin nga Instagrami, ndërprerë çdo shpërndarje të kësaj ‘reviste’ dhe duke lëshuar një deklaratë publike që sqaronte se kjo nuk ishte një kopertinë e vërtetë e Vogue”.

Dokumentet e gjykatës vazhdojnë të pretendojnë: “Anna Wintour nuk autorizoi përdorimin e imazhit të saj për të promovuar albumin e të pandehurve”.

Lexo po ashtu Drake dhe 21 Savage lansojnë albumin e përbashkët "Her Loss"

Dokumenti gjithashtu argumenton se posterat e falsifikuar “shfrytëzojnë” markën tregtare të revistës dhe kanë shkaktuar “konfuzion të gjerë publik”.

Foto: Instagram

Sipas padisë, Conde Nast po kërkon dëmshpërblim prej katër milionë dollarësh apo afro katër milionë euro.

Por një burim nga ana tjetër ka thënë për Page Six se ‘Drake nuk është i shqetësuar’.

Foto: Wire Image

“Her Loss” u publikua në fillim të këtij muaji dhe përfshin katër këngë solo të Drake dhe një solo nga 21 Savage. /Telegrafi/

Exit mobile version