Site icon Telegrafi

Revista franceze “Charlie Hebdo” me karikaturë pas tërmeteve në Turqi, mediumi turk e quan skandaloze

Revista franceze “Charlie Hebdo” ka nxitur reagime pas publikimit të një karikature, pas tërmeteve vdekjeprurëse që goditën Turqinë.

Një reagim ka ardhur nga mediumi turk Anadoly Agency, i cili shkruan se karikatura e shpërndarë me titullin “karikatura e ditës” në Twitter, tregon ndërtesa të shembura dhe të dëmtuara, një automjet të përmbysur dhe një grumbull rrënojash.

“Tërmet në Turqi”, shkruhej në këndin e djathtë lart të karikaturës. “Nuk ishte as nevoja për të dërguar tanke”, shkruhej në fund.

Dhe mediumi turk, një karikaturë të tillë e ka quajtur skandaloze, pas tërmeteve në Turqi.

Po sipas mediumit turk, “në rrjetet sociale ka pasur reagime të ashpra si dhe zhgënjim dhe zemërim ndaj postimit të neveritshëm”.

“Charlie Hebdo” është një revistë satirike franceze e njohur gjithashtu për karikaturat e saj që fyen Profetin Muhamed, kujton AA.

Ndryshe, të paktën 3.432 persona humbën jetën dhe 21.103 të tjerë janë plagosur në 10 provinca të Turqisë pasi dy tërmete të fuqishme goditën pjesën jugore të vendit, citon AA, një zyrtar nga Agjencia Turke e Fatkeqësive (AFAD).

Mëngjesin e djeshëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë, epiqendra e të cilit u regjistrua në qarkun Pazarcık tronditi qarkun Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Ndërsa pasditen e djeshme, një tërmet tjetër 7.6 ballë sërish goditi qarkun Kahramanmaraş, ndërsa epiqendra e saj ishte në qarkun Elbistan. /AA/Telegrafi/

Exit mobile version