Nga: Thanas Mustaqi
Një faqe e plotë e gazetës së ilustruar të përjavshme britanike “The Graphic” (17 janar 1925), ka në qendër një ngjarje të bujshme: rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit nga forcat mercenare ruse në shërbim të ish-kryeministrit të arratisur në mbretërinë jugosllave, Ahmet Zogu.
Reportazhi me pesë foto mban titullin: “Revoltë ditën e Krishtlindjeve në Shqipëri / Ekskluzive për gazetën ‘The Graphic’” (Albania’s Christmas Day Revolt / Exclusive to “The Graphic”)”.
Në fund të faqes është dhe ky lajm i shkurtër: “Krishtlindjet në Shqipëri nuk ishin një ditë ‘paqeje dhe dashurie për njerëzit’; përkundrazi, ajo shënoi revoltën e Ahmet Bej Zogut kundër Kryeministrit nacionalist, peshkopit Fan Noli, dhe qeverisë së tij. Revolta u realizua me sukses të madh për faktin se ndonëse qeveria pranoi të luftojë, pati pak viktima nga secila palë, pasi oficerë dhe ushtarë rusë, të ish-Ushtrisë së gjeneralit Vrangel, ndihmuan në arritjen e fitores. Këto janë fotot e para të përplasjes (encounter) të marra nga ky vend”.
“The Graphic” ishte përjavshme e ilustruar që mbetet shembull i shkëlqyer i një dosjeje historike shoqërore. Dilte të shtunave, që nga 4 dhjetori 1869 me 24 faqe. Mes bashkëpunëtorëve të kësaj gazete ishin figura të tilla të mëdha të letrave angleze, si George Eliot (pseudonim i Mary Anne Evans, 1819-1880), Thomas Hardy (1840-1928), Anthony Trollope (1815-1882) etj.
Ndikimi i revistës në botën e artit ishte i madh, ndërsa mes admiruesve të saj të shumtë njihet dhe Vincent Van Goghu (1853-1890).
E përjavshmja “The Graphic” vazhdoi të botohet me këtë titull deri në vitin 1932, kur mbyllet pas 3,266 numrash.