Si asnjëherë më parë, pandemia COVID-19 na ka nxitur që t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit në mënyrë që t’i zbusim në maksimum pasojat.
Shumë restorante në Kosovë kanë vendosur që t’i përkrahin produktet vendore, duke u furnizuar në përditshmëri me produkte organike nga kompanitë vendore.
Egzon Halili nga restoranti “Eat Mucho”, në një intervistë për Telegrafin ka treguar se restoranti i tij çdo ditë furnizohet nga fermat e kontraktuara vendore në afërsi të Prishtinës.
Sipas tij, kjo ia mundëson që në menynë e tij të shërbejë ushqime të freskëta e organike.
Çdo mëngjes, cilantron, domatet, specat, qepët, lakrat e misrin ai i merr të freskëta nga bashkëpunëtorët vendorë dhe arrin të krijojë diçka unike duke kombinuar ushqimin e shëndetshëm vendor me sasi të mëdha dhe shija e erëza unike meksikane.
Kjo mënyrë e bashkëpunimit është duke ndihmuar në rritjen e ekonomisë në kohë të pandemisë, madje edhe duke krijuar vende të reja të punës.
“Eat Mucho”, si restoranti më unik në kryeqytet – me ambient ekzotik e ushqim të shpejtë meksikan – ka arritur t’i krijojë 16 vende të punës me këtë koncept e mënyrë të re në treg.
Halili po ashtu u ka bërë thirrje edhe bizneseve tjera që fokusin ta kenë te produktet e freskëta vendore.