Telegrafi

Reshjet në Rrafsh të Dukagjinit, “Hidrodrini” ka ngritur shkallën e gatishmërisë

Foto: Ilustrim

Si pasojë e reshjeve atmosferike që kanë filluar nga mbrëmja e së premtes në rajonin e Rrafshit të Dukagjinit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe mobilitetit në zonën e saj të mbulueshmërisë.

Në njoftimin e kësaj kompanie bëhet e ditur se nga mëngjesi i hershëm, Kryeshefi Ekzekutiv i “Hidrodrinit”  ing. Agron Tigani në kontakt dhe koordinim me menaxherët e Njësive Operative, Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik, ka nxjerrë vendim për ngritjen e shkallës së gatishmërisë së ekipeve preventive dhe të kontrollit në terren, duke ofruar mbështetjen e plotë në rast të paraqitjes së nevojës edhe nga rajoni.

Është konstatuar se deri më tash në asnjë nga komunat që mbulon “Hidrodrini”, nuk janë paraqitur e as raportuar probleme në sistemin e ujësjellësit.

Me këtë rast KRU ‘Hidrodrini’ apelon tek konsumatorët që nëse vërejnë ndryshime të çfarëdo natyre në cilësinë e ujit, të njëjtin ta konsumojnë të vluar dhe ta raportojnë tek njësia respektive.

Gjithashtu bëhet e ditur se ekipet mobile të kësaj kompanie vazhdojnë të jenë në terren. /Telegrafi/