Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka prezantuar sot raportin lidhur me gjendjen në vend pas vërshimeve, ndërkaq u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe vigjilencë të shtuar.
Në njoftimin e AME-s thuhet se në këto vërshime u rrezikuan më së shumti Istogu, Klina, Mitrovica, Skenderaj dhe komunat në Veri të Kosovës si Mitrovica, Zveçani dhe Zubin Potoku.
“Më datë 19.01. 2023, një pjesë e territorit të Republikës se Kosovës është përfshirë nga shiu i cili shkaktoi vërshime sidomos ne Regjionin e Pejës dhe Mitrovicës. Në këto vërshime u rrezikuan më së shumti Istogu, Klina, Mitrovica, Skenderaj dhe Komunat në Veri të Kosovës si Mitrovica, Zvecani dhe Zubin Potoku”, thuhet në njoftim.
AME thekson se pas marrjes se raportit për motin nga IHK-, AME fillimisht ka bërë vlerësimin e situatës dhe ka marr veprime.
“Ngritja nivelit të gatishmërisë emergjente të QOE112 për tërë Kosovën, prandaj në kuadër të këtyre qendrave janë angazhuar edhe zyrtarë të tjerë të AME-se dhe në bashkëpunim me drejtoritë komunale kanë pas për qëllim grumbullimin e informacioneve të shpejta dhe të sakta nga terreni”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas AME-s të gjitha NJPZSH-të kanë ngritur nivelin e gatishmërisë dhe janë përforcuar me ekipe shtesë për tu angazhuar në terren sipas gjendjes aktuale dhe vendngjarjeve me rrezikshmëri më të lartë.
“Grumbullimi i të dhënave është bërë ne mënyrë permanente nga Qendra Operative e AME-se ku janë analizuar dhe janë marr vendime sipas situatës në terren.
Ministria e Brendshme ka qenë e informuar vazhdimisht me qëllim që të vlerësohet gjendja aktuale, ndërmerren masat parandaluese dhe të reagohet nëvendin e ngjarjes në mënyre efikase dhe efektive”, thuhet më tej.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka rikujtuar se Qendrat Operative Emergjente janë aktive 24/7, andaj qytetarët mund t’i kontaktojnë përmes numrit emergjent 112 (pa pagesë) rreth çdo vështirësie që mund të përballeni. /Telegrafi/