Reshjet e para të dobëta të borës kanë nisur sot në Kosovë, konkretisht në viset malore me lartësi mbidetare mbi 1500 m.
Borë kishte në Prevallë dhe Bogë. Kurse, në Shqipëri, konkretisht në Qarkun e Dibrës, ulja e temperaturave është shoqëruar edhe me reshje bore, në zonat malore 500 metra mbi nivelin e detit.
Vështirësi në qarkullim ka pasur në zonën D, ku punojnë minatorët. Policia e Bulqizës u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të kenë kujdes, veçanërisht në zonat ku ka dëborë dhe ngrica.
Ndërkohë, sipas autoriteteve vendore mësohet se reshje bore deri në 5 cm ka pasur në disa fshatra të thella, në njësitë administrative Trebisht dhe Martanesh, por edhe në disa fshatra të Njësisë Administrative të Macukullit dhe Xiberit të Matit.
Bulqiza është një nga zonat më të ftohta në Shqipëri, e ku reshjet e dëborës kanë intesitet të lartë, gjë që ka çuar disa herë në bllokim të rrugëve nacionale dhe izolim total të ish-komunave.
Shtresë e borës prej gjashtë centimetrave është formuar sot në mëngjes edhe në Mavrovë të Maqedonisë, ndërsa në Krushevë dhe në Lazaropole katër gjegjësisht tre centimetra.
Temperatura më e ulët prej -5 gradë është matur në Berovë. Edhe nesër do të jetë ftohtë me reshje të kohëpaskohshme të shiut, ndërsa në vendet më të larta dhe malet reshje të borës. Reshjet në disa vende do të jenë të rrëmbyeshme veçanërisht në pjesët jugore dhe lindore. Në malet shtresa e borës do të rrite, ndërsa shtresë e borës do të formohet edhe në disa vende më të larta.