Telegrafi

Reshje bore në disa zona të Shqipërisë, ARRSH njofton për gjendjen e akseve rrugore

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije se disa akse rrugore në vendin tonë kanë shfaqur problematika të lehta pas rënies së reshjeve të dëborës në disa zona të vendit.

Sipas ARRSH, gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar në Korçë-Dardhë, në Llogara, në Kukës-Ura e Zapodit, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Fierzë, Qafë Bualli-Krastë, ku është punuar me mjete borëpastruese dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

“Kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për të mbajtur qarkullimin në normalitet”, tha autoriteti në një njoftim në Facebook.

ARRSH i ka bërë thirrje shoferëve që të tregohet kujdes i shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje.

“Pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.” /Telegrafi/