Site icon Telegrafi

Reshitaj në Suharekë: Qeveria të bëj më shumë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 se vetëm konferencat për shtyp

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetare e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Albena Reshitaj, ka vizituar sot Komunën e Suharekës, ndërsa me kryetarin e kësah komune, Bali Muharremaj kanë diskutuar për gjendjen në këtë komunë pas rritjes së numrit të të infektuar me virusin COVID-19, si dhe viktimës së parë të shënuar.

Reshitaj ka njoftuar se ka takuar edhe zyrtarë të tjerë komunalë, duke thënë se vullneti dhe përkushtimi i tyre është shpresë për qytetarin.

“Për të parë nga afër gjendjen pas rritjes së numrit të të infektuarave me COVID-19 dhe viktimës së parë vizitova komunën e Suharekës, e cila tash e disa ditë është shpallur zonë karantinë. Takova kryetarin e komunës, Bali Muharremaj, të cilin e falënderova dhe i shpreha mirënjohje për punën e pa lodhur dhe menaxhimin shumë të mirë që ai dhe tërë strukturat komunale janë duke bërë për të tejkaluar këtë situatë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se institucionet qendrore, përveç konferencave për shtyp, duhet të rrisin edhe numrin e testimeve përderisa nuk është bërë ende vonë.

Po ashtu, sipas Reshitajt duhet të gjurmohen në mënyrë më efikase edhe rastet e kontaktit me personat e infektuar. /Telegrafi/

 

Exit mobile version