Me temën “Ndryshimet klimatike” ka filluar dita e fundit e Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë. Një dokumentar i shkurtër me pamje nga e gjithë bota për të shfaqur ndryshimet globale e ka nisur këtë ngjarje.
Me këtë rast ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka thënë se njeriu e kupton sa i pafuqishëm është, kur ndeshet me ligjet e natyrës, duke shtuar se shpreson që kjo javë të bëhet traditë në Kosovë.
Reshitaj po ashtu ka shprehur shqetësim lidhur me mungesën e fondeve të kësaj fushe për Kosovën.
“Mos aksesi i vendit tonë në fonde për mbrojte të mjedisit, gjegjësisht për ndryshime klimatike, që janë fonde jashtëzakonisht të mëdha është një e padrejtë që po i bëhet Republikës së Kosovës dhe gjithmonë po e them, dhe po ngris zërin edhe në konferenca ndërkombëtare që kjo është një e padrejtë, sepse nuk duhet të kenë shumë impakt politikat ditore apo javore të shteteve të ndryshme, kur është në pyetje mjedisi, kur janë në pyetje ndryshimet klimatike, sepse impakti i pasojave bartet edhe në vende tjera, sepse ndryshimet klimatike, problematikat e mjedisit nuk njohin kufij fizik, prandaj edhe politikat e shteteve të ndryshme nuk duhet të njohin këta kufij fizik kur është në pyetje mbrojtja e mjedisit”, u shpreh Reshitaj.
Për të shfaqur mbështetjen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, e pranishme në këtë ngjarje ishte Annette Fath Lihic, Shefe e Kabinetit të Përfaqësueses së Posaçme.
Ajo ka thënë se ndryshimet klimatike nuk njohin kufij administrativ.
“T’iu përkujtoj se asnjë komb, pa marrë parasysh është i madh apo i vogël, i zhvilluar apo i pazhvilluar, i varfër apo i pasur, nuk mund t’u shmanget pasojave të ndryshimeve klimatike, hapat e rëndësishëm janë në rritje e sipër, janë niveli i lartë i detrave që po i shkatërron shtëpitë afër bregdeteve, megjithatë edhe përmbysjet dhe stuhitë po i shtyjnë të emigrojnë individë nga zona të ndryshme, si refugjatë të ndryshimeve klimatike, dhe gjithashtu kemi edhe problemet me thatësira të mëdha, që po krijojnë probleme njerëzore dhe konflikte”, u shpreh ajo.
Ajo ka shfaqur besim se situata mund të kthehet në favor të njeriut.
Gjatë kësaj jave për çdo ditë ka pasur konferenca me tema të ndryshme që lidhen me mjedisin, duke përfunduar sot në ditën ndërkombëtare të mjedisit e cila organizohet bashkë me OJQ-të vendore në këtë fushë.
Kjo ngjarje ka trajtuar sfidat kryesore të mjedisit në vend siç janë energjia, mbeturinat e ngurta, uji, si dhe ndryshimet klimatike. /KP /Telegrafi/