Dhoma e Ulët e Parlamentit të Republikës Çeke miratoi një rezolutë që e quan qeverinë aktuale ruse një regjim terrorist.
Një nga dispozitat e rezolutës është “regjimi aktual rus përkufizohet si terrorist, sipas rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.
Dokumenti dënon referendumet e rreme që Rusia mbajti në territoret e pushtuara për të legjitimuar “bashkimin” e saj me Federatën Ruse dhe sulmet sistematike me raketa ruse në infrastrukturën civile të Ukrainës.
Nga 156 deputetë pro rezolutës votuan 129, e cila mbështetet nga i gjithë spektri politik, me përjashtim të euroskeptikëve të djathtë nga partia SPD (Liria dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë) dhe disa përfaqësues të partive të tjera.
Rezoluta u mbështet edhe nga disa anëtarë të opozitës ANO, partia e udhëhequr nga ish-kryeministri Andrej Babis, raporton skynews.
Më 13 tetor, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi njëzëri një rezolutë që e quajti Federatën Ruse një regjim terrorist. Rezoluta përmbante gjithashtu një amendament që bën thirrje për sigurimin e më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën. PACE ishte organizata e parë ndërkombëtare që e shpalli Rusinë shtet terrorist.
Rezoluta të ngjashme u miratuan më vonë nga parlamentet e Polonisë, Estonisë dhe Letonisë. /Telegrafi/