Site icon Telegrafi

Reportazh nga Ulqini – qyteti historik i shqiptarëve hap dyert për pushuesit në sezonin veror 2021

Kamerë/Montazh: Pjetër Monreca, Foto-Montazh: Ardian Keka/Telegrafi

Qyteti i Ulqinit njihet si një prej vendeve bregdetare më mikpritëse të shqiptarëve ndër dekadash.

Edhe pas kaq vitesh, qyteti historik i shqiptarëve mbetet destinacioni i preferuar për të gjithë ata që duan të kalojnë pushimet verore në një vend, që i ofron të gjitha kushtet e relaksit, komoditetin, jetën e natës dhe shumëçka tjetër.

Telegrafi gjatë muajit maj, vizitoi disa nga pikat më turistike të këtij qyteti, për t’ju sjell kështu një reportazh mbi atë se si është të kalosh pushimet në Ulqin dhe pse ia vlen ta zgjedhësh Ulqinin për pushime.

Bregdeti

Plazhi i vogël, Ulqin (Foto: Telegrafi)

Qyteti i Ulqinit është një nga vendet e rralla që ofron plazhet e të gjitha kategorive, si ato me rërë apo plazhet shkëmbore.

Plazhi i vogël i Ulqinit, karakterizohet me shëtitoren e tij të veçantë përreth, e cila duket të jetë idealja për një shëtitje në vesën e mëngjesit gjatë pushimeve.

Bregdeti shkëmbor i Ulqinit (Foto: Telegrafi)

Uji i freskët dhe rëra e imët me veti shëruese, janë gjithashtu karakteristika tjetër e këtij plazhi, që njëherësh njihet si një nga plazhet më të frekuentuar të qytetit.

E për ata që e duan rërën, Ulqini gjithashtu ofron edhe plazhin e madh, të gjatë rreth 13 kilometra, në të cilin shtrihen restorante dhe resorte të shumta, që ofrojnë të gjitha shërbimet që iu nevojiten pushuesve gjatë sezonit veror.

Kalaja e Ulqinit

Kalaja e Ulqinit (Foto: Telegrafi)

Plazhi i vogël përfundon me Kalanë e Ulqinit në majë, e cila është e ndërtuar mbi një siujdhesë të vogël të Detit Adriatik.

Kalaja e cila ndodhet mbi një shkëmb të madh, ka disa resorte në të, të cilat ofrojnë shërbimin më luksoz për klientët që duan të pushojnë në këtë zonë.

Qazim Resulbegu, afarist në këtë zonë thotë se ka pasur bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe organizatën turistike, që çmimet e këtij sezoni të jenë më të përshtatshme për vizitorët nga Kosova, gjersa presin një sezon më të ngjedhur se sa ai i vitit që shkoi.

“Ris pak më konkrete nuk kemi, por jemi një traditë si thuhet e mysafirëve nga Kosova. Kemi bashkëpunuar me komunën dhe organizatën turistike në atë aspekt që t’i ulim çmimet dhe t’i përshtatemi paksa regjionit, konkretisht Kosovës. Presim një sezon pak më të mirë se vjet”, ka thënë Resulbegu.

Qazim Resulbegu (Foto: Telegrafi)

Ndërkohë, Gëzim Hajdinaga, drejtor i dikasterit turistik në Ulqin, shprehet se Ulqini tashmë ka një besueshmëri shumëvjeçare të mikpritjes ndaj shqiptarëve të gjitha trojeve, që e përzgjedhin atë se destinacioni ne tyre të pushimeve.

“Mendoj se duhet vizituar të gjitha plazhet, por mendoj se plazhi i Ulqinit gërshetuar me një mozaik të mirë siç është tradita e ulqinakut për turizmin, mikpritja, bujaria, pse jo çmimet konkurruese dhe mbi të gjitha atë se tash e sa vite është rrënjosur te Kosova, jo vetëm te Kosova por te Shqipëria e gjithë ju, e sidomos te diaspora jonë e fuqishme shqiptare, që mbretërit e turizmit të Ulqinit jeni ju pra, që vini nga këto adresa”, thekson Hajdinaga.

Gëzim Hajdinaga (Foto: Telegrafi)

Arti dhe kultura

Muzeu i Ulqinit (Foto: Telegrafi)

E për dashamirësit e kulturës dhe artit, Ulqini është gjithashtu një qytet me përplot histori.

Artefakte dhe mbetje të ndryshme historike që nga koha kur ky qytet iu përkiste ilirëve, janë të ekspozuara në Muzeun e Ulqinit, i cili gjithashtu ndodhet mbi kala.

Muzeu i Ulqinit (Foto: Telegrafi)

Aty mund të gjenden gjurmët shqiptare, me pjesët që kanë mbetur nga historia – e që e kanë shndërruar Ulqinit edhe në një qytet kulturor me dëshirën për t’u vizituar edhe nga të apasionuarit e trashëgimisë kulturore.

Në mbrëmjet e verës, në skenën e cila është e ngritur në Muzeun e Ulqinit, organizohen çdo natë shfaqje të ndryshme – duke e bërë kështu një vend mjaft të frekuentuar të mbrëmjes nga pushuesit shqiptarë.

Kuzhina tradicionale

Kuzhina tradicionale e Ulqinit (Foto: Telegrafi)

Pushimet nuk mund të quhen pushime pa një oreks të mirë.

E kur jemi te pushimet në një qytet që rrënjët i ka në Shqipërinë e madhe, atëherë është e sigurt që kuzhina e atij qyteti do të jetë e mbushur me gatime të ndryshme tradicionale.

Që nga paragjellat, pastat e ndryshme e deri te ëmbëlsirat, kuzhina e qytetit të Ulqinit shquhet për shumëllojshmëri ushqimesh.

Kuzhina tradicionale e Ulqinit (Foto: Telegrafi)

Për adhuruesit e ushqimit të detit, aty mund të gjejnë peshqit e të gjitha llojeve të Adriatikut, e deri te ngjalat e lumit Buna.

E për ata që merak i kanë brumërat, ushqimet tradicionale me petë si: flitë, burekët e ndryshëm e pastat, janë gjithashtu të posedueshme në çdo tryezë ushqimi të këtij vendi.

Një shëtitje me varkë brigjeve të Adriatikut

Brigjet bregdetare të Ulqinit (Foto: Telegrafi)

Një ditë e nxehtë verë, mund të jetë edhe më atraktive me një shëtitje me varkë brigjeve të qytetit Ulqin.

Nisur nga Plazhi i vogël ranor, e për t’u vazhduar më pas deri te plazhet shkëmbore të vendit të ashtuquajtur “Pishat”, janë zgjedhja e duhur për t’u freskuar brigjeve të detit që lag Ulqinin.

Brigjet bregdetare të Ulqinit (Foto: Telegrafi)

Ishujt shkëmborë të shumtë përgjatë shëtitjes, e bëjnë edhe më atraktiv endjen me barkë në ujërat e Adriatikut.

Shëtitja e gjatë deri në thellësi është gjithashtu një mënyrë e mirë për t’u larguar paksa nga monotonia e krijuar në plazh, pranë numrit të madh të pushuesve.

Jeta e natës

Jeta e natës në Ulqin (Foto: Telegrafi)

Idealja e finalizimit të një dite vere të kaluar në plazh, është një mbrëmje buzë detit me muzikë live, duke shijuar nga një pije.

E për ata që pushimet zgjedhin t’i kalojnë në Ulqin, mos të kenë fare dyshim se do të mbesin mbrapa në këtë aspekt.

Jeta e natës në Ulqin (Foto: Telegrafi)

Resortet e Ulqinit ofrojnë një jetë nate të jashtëzakonshme, me klubet e improvizuara buzë plazhit, të cilat ofrojnë argëtim me muzikë dhe vallëzim për të pranishmit.

Të kërcesh e dëfrehesh nën tingujt e këngës shqiptare, me ritëm e pa ndalim, do ta bëjë natën e pushimeve edhe më të paharrueshme.

Kryetari i Ulqinit: Mirë se vini në vendin e vogël me mikpritje të madhe

Aleksandër Daboviq (Foto: Telegrafi)

Mikpritjen në qytetin bregdetar, ua dëshiron edhe Kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandër Daboviq.

Ai përpara mediave u shpreh se ky sezon i pason një viti të zorshëm shkaktuar nga pandemia globale COVID-19, gjersa shpreson për një rikthim të frekuentimit të dikurshëm.

“Ju uroj mirëseardhjen në Ulqinin tonë dhe tuajin. Në këtë vend të vogël me mikpritje të madhe. Me bregdet të mrekullueshëm e natyrë si rrallë me ndonjë vend tjetër. Ju jeni mysafirët e parë që vini në Ulqin. Ju jeni ambasadorët e para që vini në një numër kaq të madh pas një viti të zorshëm e të vështirë për të gjithë globin të shkaktuar nga pandemia e coronavirusit. S’ka dyshim për ne që Kosova do të mbesë një nga tregjet më të rëndësishme, këtë e them për shkak të lidhjeve vëllazërore, farefisnore, lidhjeve shoqërore, e të tjera. Ulqini edhe këtë sezon do të jetë vendi ku çmimet do të jenë të arsyeshme, dhe si i tillë mund të presë mysafirë të të gjitha kategorive. Në Ulqin është bukur, kështu që gjatë muajit maj dhe qershor presim të kemi vizitorë e të përfundojmë punët e nisura.”, ka thënë Aleksandër Daboviq.

Ulqini ndër vite është shquar si një prej destinacioneve më të preferuara të shqiptarëve për pushimet e verës, e nuk ka dyshim që i tillë vazhdon edhe të mbetet.

E për të gjithë ata që tashmë e kanë bërë zgjedhjen e tyre, Ulqinin: Pushime të mbara këtë verë! /Telegrafi/

Exit mobile version