Në seancën e Kuvendit të Kosovës deputetët e opozitës i kanë drejtuar kritika ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e “akuzuar” për mungesë të rezultateve.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ministri Hekuran Murati duhet të sjellë në Kuvend Marrëveshje Ndërkombëtare, e jo Marrëveshje për ndihma sociale.
Hoti i tha Muratit se është bërë shumë agresiv, e kjo sipas tij në mungesë të rezultateve si ministër i Financave.
“Ia kam bërë të qartë ministrit, është hera e parë që një ministër i Financave ia sjell Kuvendit një marrëveshje për ndihmë sociale, në kushtet që nuk ka asnjë nevojë. Nuk mund ta krahasosh me vitin 2020. Kur kam qenë ministër i Financave i kam kërkuar këtij Kuvendi një Marrëveshje Ndërkombëtare për hekurudha, impiante etj. Mungesa e rezultateve të ka bërë shumë agresivë ministër, ke qenë bashkëpunëtor i imi, nuk ke qenë kështu, pranoje”, ka thënë Hoti.
Ndërsa ministri i Financave Hekuran Murati reagoi duke thënë se është e pavërtetë ajo se çfarë tha Hoti.
Sipas tij, në vitin 2020 është sjellë një marrëveshje e tillë me Bankën Botërore e që Murati tha se e ka përkrahur atë duke bërë thirrje po ashtu që ajo marrëveshje të votohet.
“Kur thoni që s’ka pas asnjëherë më duhet t’ju korrigojë. Në korrik të vitit 2020 në këtë kuvend nga qeveria juaj është sjell një marrëveshje me Banka Botërore, komponentë e parë ka qenë kompensimi i shpenzimeve tashmë të ndodhur për dyfishimin e asistencës sociale, 19 milionë euro, e dyta ka qenë 10 milionë euro për të vazhduar mbështetjet për familjet me asistencë sociale, e treta ka qenë 17 milionë euro për të mbështet luftën kundër pandemisë. Në po këtë foltore si deputetë i kam bërë thirrje deputetëve të LVV dhe të tjerëve që ta mbështesin atë marrëveshje. Kjo marrëveshje parasheh rimbursimet, pilotim për të zgjeru skemën e asistencës sociale me 10 mijë familje shtesë, dhe tjetra është marrëveshja për reformim dhe investim në infrastrukturë dhe në digjitalizim të sistemit në mënyrë që të ketë komunikim me administratën, që të sigurohet databaza…është e pavërtetë të thuhet që s’ka pas marrëveshje të tillë”, ka thënë Murati. /Telegrafi/