Site icon Telegrafi

Replikat dhe kundër-replikat mes Dybalas dhe Agnellit, cila është oferta që ia ka bërë Juve sulmuesit

(Foto: Instagram/paulodybala)

Andrea Agnelli ka konfirmuar se Juventusi i ka ofruar Paulo Dybalas kontratë të re, ndërsa Football Italia i ka publikuar detajet e ofertës.

Kontrata aktuale e argjentinasit skadon në vitin 2022, ndërsa sulmuesi të dielën kishte thënë se nuk ka marrë ofertë për zgjatjen e saj.

“Agjenti im ka qenë në Torino për një kohë të gjatë dhe nuk është kontaktuar asnjëherë. Më zhgënjen fakti që dëgjoj për shifra të investimit. Do të ishte më mirë sikur të thuhej e vërteta, sepse të flasësh për shifra të tilla në situatën e tanishme, i kthen tifozët kundër meje, me gjithë dashurinë që kam për Juventusin”, kishte thënë Dybala.

(Foto: Instagram/paulodybala)

Mirëpo, i shpejtë ka qenë reagimi i presidentit të klubit: “Jam i njoftuar se ai tashmë ka marrë një ofertë, e cila do ta bënte ndër 20 lojtarët më të paguar në Evropë”.

Lexo po ashtu Agnelli me kritika të ashpra për Dybalan

“Jemi duke e pritur përgjigjen e tij, gjëja më e rëndësishme është që ta shohim reagimin e tij në fushë. Të gjithë duam që të bëhet njëri nga pesë futbollistët më të mirë në Evropë, ai akoma nuk është një prej tyre dhe është i vetëdijshëm për këtë”, ka shtuar Agnelli.

Burime të Football Italia bëjnë të ditur se oferta e Juves është e njëjta që ia kanë bërë gjatë verës, rreth 10 milionë euro për sezon plus bonuset. Ndërsa Dybala e ka refuzuar këtë ofertë.

Argjentinasi aktualisht përfiton shtatë milionë euro në vit dhe dëshiron që ta dyfishojë këtë shifër duke u bërë lojtari i dytë më i paguar i Zonjës së Vjetër (pas Cristiano Ronaldos). /Telegrafi/

Exit mobile version