“Beast 1333” është reper i njohur amerikan dhe njihet për tekstet e tij të errëta, me simbolizëm dhe strukturë antiqeveritare.
Ai në vitin 2009 e kishte krijuar “Templars of Hip Hop” dhe ka bashkëpunuar me reperë të ndryshëm të njohur, si me Immortal Technique, KRS One, Ras Kass etj. – transmeton Telegrafi.
Sidoqoftë, ajo çfarë ka tërhequr vëmendjen e rrjeteve sociale së fundmi, është replika e reperit në pyetjen e një shqiptari, i cili e kishte pyetur se çfarë lidhje ka me Unikkatilin dhe si e vlerëson atë.
Kjo kishte qenë përgjigja e reperit:
“Unikkatili është legjendë, është sikur Nas për shqiptarët. Me Viktorin kemi qenë bashkë në shkollën ‘Greenwich Village’ në vitin 2004, dhe nga aty e njoh. Gjithashtu e njoh edhe Presionin nga grupi i tyre ‘Shqipet e Përgjakshme’. Nuk kam folur me Unikkatilin qe disa vite, por besoj se ende gjendet në Pelham Pkwy, ku kishim incizuar bashkë këngët ‘Courage’ dhe ‘International’ në Bronks. Është paksa qesharake se si ende pas këtyre viteve njerëzit më pyesin ende për të. Duket se ai e ka zbuluar formulën e duhur”.
Përndryshe, Unikkatili së fundmi ka paralajmëruar se së shpejti do të ketë koncerte në disa shtete të ndryshme. /Telegrafi/