Stadde Rennes ka marrë një fitore të madhe në ndeshjen e parë ndaj Arsenalit 3-1.
Arsenali kaloi e para në epërsi ku arriti të shënonte vetëm pas katër minutash lojë.
Ishte sulmuesi nigerian Alex Iwobi që depërtoi bukur nga krahu i majtë dhe me një goditje mposhti portierin vendas për 0-1.
Lucas Torriera i mysafirëve pati një rast tjetër të mirë në minutën e 12-të por që nuk u tregua i saktë.
Në minutën e 41-të, Arsenali mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi Sokratis u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.
Një minutë më vonë vendasit barazuan rezultatin ku Benjamin Bourigeaud realizoi një gol spektakolar për 1-1.
Me rezultatin e barabartë përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Rennes e nisi për mrekulli pjesën e dytë pasi sulmonte vazhdimisht portën e mysafirëve.
Benjamin Bourigeaud dhe Ismaila Sarr rrezikuan, por që goditjet e tyre u pritën nga Peter Cech.
Në minutën e 65-të vendasit gjetën golin e epërsisë kur pas një harkimi në zonë nga Zeffane, Nacho Monreal i mysafirëve shënoi autogol për t’i dhënë epërsinë ekipit francez.
Edhe pas golit të epërsisë, Rennes vazhdoi sulmet e pareshtura në drejtim të portës së Arsenalit.
Hattem Ben Arfa goditi bukur nga gjuajtja e lirë, por që golin ia mohoi Peter Cech me një intervenim fantastik.
Kur Arsenali u hodh në sulm për ta barazuar rezultatin, vendasit kanë shënuar edhe golin e tretë pas një kundërsulmi.
Lea asistoi për mrekulli te super talenti Ismaila Sarr i cili me kokë shënoi për 3-1.
Kësisoj Rennes ka marrë një rezultat shumë të mirë në ndeshjen e parë dhe ka bërë një hap të madh drejt kalimit në çerekfinalen e Ligës së Evropës.
Arsenalit i mbetet që pas një jave në Londër të bëjë rikthimin e madh në përballje me klubin francez. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=CMvKF-M1qmU