Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, nënkoloneli Basri Shabani, ka thirrur sot në takim mujor të gjithë komandantët e stacioneve policore, shefat e njësive rajonale dhe atyre të centralizuara për të prezantuar analizën e raportit mujor për muajin tetor të vitit 2021, të krahasuar me muajin tetor të vitit 2020.
Në këtë takim, veç tjerash është diskutuar situata e sigurisë, e cila është vlerësuar e qetë në rajonin e Ferizajt.
Në muajin tetor të vitit 2021 është shënuar rënie e krimit kundër pasurisë, krahasuar me muajin tetor të vitit 2020 e që ka qenë prioritet i Drejtorisë Rajonale: vjedhjet e rënda nga 22 në 14 apo -36.4 %, vjedhjet nga 43 në 33 apo – 23.3 %.
Gjithashtu ka pasur disa aktivitete të shtuara në arrestimin e personave të kërkuar nga policia dhe me urdhëresë të gjykatave.
Arrestime nga 102 në 125 persona , apo + 34.2 %
Ndërkaq, është paraqitur nevoja që të shtohen aktivitetet dhe masat e policisë në disa fusha, me theks të veçantë, parandalimin e aksidenteve në komunikacion, vazhdimin e aktiviteteve të policisë me automjete dhe rroba civile në identifikimin e kundërvajtësve të ndryshëm në lokacione të ndryshme.
Ndërsa sfidë për policinë rajonale është vlerësuar të jetë pandemia Covid-19 , e cila po kërkon angazhim për policinë 24 orë në ditë.
Po ashtu nga komandantët e stacioneve dhe shefat e njësive rajonale, është kërkuar që të shtohen aktivitetet e policisë në grumbullimin e informacioneve për veprat kriminale, sipas Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, 2021-2025.
Në fund të këtij takimi u përcaktuan edhe prioritetet e policisë rajonale për ditët në vijim, që rajoni ynë të kalojë pa incidente dhe aksidente në komunikacionin rrugor. /Telegrafi/