Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit për muajin prill të këtij viti, ku thuhet se ka rënie të çmimeve te artikujt bukë dhe drithëra, qumësht, djathë dhe vezë, perime. Kurse, ngritja e çmimit vërehet te mishi, vajra dhe yndyra, sheqer dhe ëmbëlsira, ujë mineral, pije joalkoolike dhe të tjera.
Sipas ASK-së, indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend pësoi rënie në një mesatare prej (-1.0%) në muajin prill 2016, krahasuar me muajin shkurt 2016.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet: perime (-3.0%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-16.7%)-(Aplikimi i tarifave verore të energjisë elektrike nga 1 prill – 30 shtator 2016) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.1%) në IHÇK. Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve të konsumit te nëngrupi i përdorimit të pajisjeve për transportin personal (1.1%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim prej 0.1% në IHÇK. Shkalla e inflacionit e matur në muajin prill 2016 me muajin prill 2015 ishte (-0.1%).Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.1%) për qind në muajin prill 2016, krahasuar me muajin prill 2015. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-2.0%); qumësht, djathë dhe vezë (-1.1%); perime (-11.8%); furnizimi me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-6.7%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera. (-5.2%)-(përshkallëzimii TVSH-së me 8.0% nga muaji shtator i vitit 2015 te buka dhe drithërat,qumështi, djathi dhe vezët, ujë dhe rryma ka ndikuar në rënie të IHÇK-it në një masë prej 0.7%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-8.8%)-(rënie e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.8%) në IHÇK”, thuhet në komunikatën e ASK-së, shkruan Telegrafi.
Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve të konsumit te nëngrupet: mish (1.8%); vajra dhe yndyra (6.7%); sheqer dhe ëmbëlsira (9.1%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemë t dhe perimet (1.7%); pije alkoolike (14.6%); duhan (10.8%); veshje (2.9%); prodhime dhe pajisje mjekësore (3.4%); blerje e automjeteve (1.4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7% në IHÇK. /Telegrafi/